HomeOP-ED

Ne jemi gjithmonë më pranë luftës bërthamore, se sa na pëlqen të besojmë

Nga Vince Cable, The Indipendent

Sot është bërë e zakonshme të flitet për krizën klimatike, si kërcënimi më i madh për planetin tonë. Sigurisht, është e drejtë të përqendrohemi tek një çështje ekzistenciale për të cilën mund të bëjmë diçka. Por unë kam frikë se ka probleme të tjera, që mund të jenë edhe më urgjente.

Së pari pandemitë, me njërën prej të cilës po përballemi tani. Por rreziqet rreth luftës bërthamore dhe përhapjes së armëve të tilla, kanë dalë jashtë ndërgjegjes publike. Por nuk duhet të jetë kështu. Vetëdija ime mbi këto çështje u ngacmua nga dy gjëra.

E para ishte rishfaqja e “Njeriut të Vogël të Raketave” në Korenë e Veriut. Duket se ai ishte duke dobësuar fizikisht, por kishte rritur aftësitë  e tij bërthamore. Vendi komunist ka zhvilluar një raketë të re të përshkruar si “strategjike”, të aftë të dërgojë armë bërthamore në distanca rreth 1000 kilometra, pra në Japoni, por dhe Korenë e Jugut, në bazat amerikane dhe aeroplanmbajtëset e saj.

Po ashtu, raportohet se Koreja e Veriut ka rivënë në punë një stacion të energjisë bërthamore, që është i aftë të prodhojë plutonium në shkallën e duhur për të prodhuar armë. Së dyti u nxita nga seriali i suksesshëm “Vigil” (Vigjilent) që transmetohet në BBC të dielave në mbrëmje.

Ashtu si “Line of Duty”, seria e tij paraardhëse, komploti nuk bart shumë analiza. Por ai sjell në një mënyrë shumë bindëse diçka që ne e kemi marrë si të mirëqenë:faktin që jashtë një baze në Argil të Skocisë, ekziston një flotë nëndetësesh që bartin armët bërthamore të Britanisë, njëra prej të cilave është vazhdimisht duke patrulluar në det.

Secila nga nëndetëset ka 40 bomba luftarake nga rezervat tona prej 180 bombash në total: një numër që po rritet aktualisht në 260. Çdo bombë ka një fuqi shkatërruese prej 100 kiloton:ose rreth 6 herë të më të madhe se sa bomba që u hodh në Hiroshima në Japonisë në gushtin e vitit 1945.

Unë dyshoj dhe sinqerisht shpresoj, që masat e sigurisë të jenë më të mira se sa ato që paraqiten në filmin “Vigil”, ku gjërat duket çdo herë sikur janë në prag të katastrofës.

Kjo serial na kujton detyrën madhore që kanë atë që janë politikisht dhe operacionalisht përgjegjës për këto armë.

Megjithatë, Britania është vetëm një anëtare me një peshë mesatare në familjen e fuqive të njohura bërthamore (SHBA-ja, Rusia, Kina, Franca, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut), dhe numri i armëve të saj supozohej të zvogëlohej dhe jo të rritej.

Në ditët më optimiste pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të Luftës së Ftohtë, patëm shpresë se do të kishte një dakordësi globale për çarmatimin bërthamor. Numri i bombave dhe raketave bërthamore në SHBA dhe Rusi, u zvogëlua shumë.

Ukraina dhe Kazakistani, hoqën dorë nga armët e tyre bërthamore, të lëna trashëgimi nga Bashkimi Sovjetik. Ndërkohë Afrika e Jugut dhe Brazili, të cilat kishin programe fillestare në këtë fushë, hoqën dorë nga armët bërthamore. U vendos një regjim i rreptë i mos-përhapjes së këtyre armëve, për të penguar anëtarësimin e shteteve të reja në këtë “klub”, që u duk se mjaftonte për të penguar Iranin nga shndërrimi i aftësive të tij teknologjike në armë bërthamore.

Megjithatë gjatë viteve të fundit, ky përparim është zhbërë. Rusia dhe SHBA-ja e kanë modernizuar dhe zgjeruar arsenalin e tyre bërthamor, ndërsa përparimet teknologjike, si sistemet autonome të bazuara tek Inteligjenca Artificiale, po i bëjnë traktatet aktuale të duken edhe më të vjetruara nga sa janë në realitet.

Në mjedisin gjithnjë e më toksik në Azinë Lindore, ka raporte se Kina ka vendosur më shumë raketa në gatishmëri, dhe duket se nuk ka ende asnjë angazhim të drejtpërdrejtë me SHBA-në për të qetësuar disi atmosferën. Unë e trajtoj marrëdhënien e vështirë midis dy fuqive në librin tim që është botuar këtë javë, “Enigma kineze:Angazhim ose konflikt”.

Ndërkohë, tërheqja e administratës Trump nga marrëveshja mbi programin bërthamor të  Iranit, ka kërcënuar një ringjallje të programit bërthamor të këtij të fundit. Diplomacia “ballë për ballë” e Trump me Kim Jong-un prodhoi tituj bombastikë në media, por asnjë marrëveshje.

Ndërsa presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden po e rimerr veten nga katastrofa politike e evakuimit nga Afganistani, përhapja bërthamore duhet të jetë në krye të axhendës së tij. Ai po përpiqet të ringjallë bisedimet shumëpalëshe me Iranin. Rreziqet janë të mëdha, pasi dështimi për të kontrolluar programin iranian, mund të çojë në një aksion ushtarak të njëanshëm nga ana e Izraelit.

Dhe ekziston rreziku i një gare të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme me Arabinë Saudite, dhe ndoshta Turqinë, që mund t’i bashkohen “klubit bërthamor”. Lindja e Mesme është një “parajsë” e stabilitetit, në krahasim me situatën e paqëndrueshme dhe të rrezikshme në Azinë Jugore.

Një nga të panjohurat e mëdha, është se si do të ndikojë fitorja e talebanëve afganë në Pakistan. Ushtria pakistaneze është e pajisur me armë bërthamore, ndërsa edhe pse është shumë e disiplinuar, skenari i rrëmbimit të armëve bërthamore nga terroristët, është një rrezik që duhet marrë parasysh.

Azia Lindore është akoma më komplekse, dhe jo më pak e rrezikshme. Sjellja agresive e udhëheqësit Kim Jong-un, është thellësisht destabilizuese jo vetëm për Korenë e Jugut, por edhe për Japoninë. Të dyja vendet mbështeten tek mbrojtja ushtarake amerikane.

Por kjo e fundit është më pak eksplicite sesa në NATO, dhe tërheqja e SHBA-së nga Afganistani ka krijuar dyshime në lidhje me besueshmërinë e Uashingtonit, sidomos në rastin e një lufte bërthamore. Japonia zotëron aftësinë teknologjike për të prodhuar me shpejtësi armët bërthamore, nëse kjo është e nevojshme.

Edhe Koreja e Jugut është teknologjikisht shumë e përparuar. Për të dyja këto vende, një pasiguri kryesore paraqet Kina. Askush nuk është i sigurt nëse dhe si Xi mund të pengojë aleatin e saj koreano-veriore të bëjë ndonjë marrëzi.Për më tepër, aktualisht ekziston një mosmarrëveshje e fortë midis Kinës dhe Japonisë për disa ishuj.

Kina do ta konsideronte me siguri si një provokim lëvizjen e Japonisë drejt armëve bërthamore. Dhe faktorët rajonalë duhet të analizohen në sfondin e rritjes së tensionit politik midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe nëse kemi parasysh se Kina është një aleate e ngushtë e Pakistanit, dhe se India e pajisur me armë bërthamore po sheh me nervozizëm zhvillimet përtej kufirit, atëherë situata bëhet shumë e rrezikshme.

Në rastin më të keq, mund të kemi shpërthimin e konfliktit midis disa palëve kundërshtare: midis Iranit dhe Izraelit; Iranit dhe Arabia Saudite; Indisë dhe Pakistanit; Indisë dhe Kinës; Kinës dhe SHBA-së; Kinës dhe Japonisë; Koresë së Veriut dhe disa nga fqinjët e saj dhe SHBA-së.

Në secilin rast, do të kishte një ose më shumë palë të pajisura me armë bërthamore. Në disa raste nuk ka një politikë të ”jo lëshuesi i parë” për të ndaluar shpërthimin e luftës bërthamore. ”Të mendosh mbi të paimagjinueshmen”, nuk është e favorshme për qetësinë mendore apo për një gjumë të mirë.

Por dikush duhet ta bëjë atë. Kohët e fundit kemi pasur disa ngjarje që na janë dukur më herët shumë të pamundura; Trump; Brexit; Covid; fitorja e talebanëve. Në të ardhmen do të ketë ngjarje të tjera tronditëse. Le të shpresojmë që përdorimi i armëve bërthamore të mos jetë njëra prej tyre. Por koha e shpenzuar sot mbi çështjet e përhapjes bërthamore, zvogëlimin e rrezikut dhe çarmatimin bërthamor, do të ishte një investim shumë i mirë.

Shënim: Sër Vince Cable, ish-udhëheqësi i Liberal Demokratëve në Britaninë e Madhe. Ai ka qenë Sekretar Shteti për Biznesin, Inovacionin dhe Aftësitë gjatë viteve 2010-2015.

TË NGJASHME