Aktualitet Ekonomi Lajme Sociale

Në pikëpyetje shpërblimi i fundvitit për pensionistët

Ky ndoshta mund të jetë viti i parë, që pensionistët dhe familjet në nevojë nuk do të marrin shpërblim me rastin e festave të fundvitit.

Në 15 vite, që nga koha e “Qeverisë Nano”, çeku për shportën e fundvitit nuk ka munguar. Herë modest e herë i majmë, qeveritë gjithnjë e kanë gjetur një mënyrë për të mos i lënë pa gjë pensionistët. Por këtë vit duket se është me pikëpyetje dhe kjo prej situatës ekonomike, e cila do të detyrojë qeverinë të “shtrëngojë dorën”.

Nuk dihet nëse kjo është strategji për t’ia lënë Kryeministrit të japë lajmin e mirë për gjetjen e fondit të shpërblimit apo qeveria është vërtet ngushtë dhe shpresat kanë mbetur te moti dhe përmirësimi i sektorit energjetik. Angazhimin për të mos e ndërprerë këtë traditë, si një zotim të vetë Kryeministrit Rama, e ka sjellë në vëmendje kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje, gjatë diskutimit të buxhetit 2019.

“Ne kemi marrë angazhim politik dhe financiar. Është kthyer në traditë që shpërblimi i pensionistëve dhe familjeve në nevojë është pjesë e politikës financiare fiskale të qeverisë, të Kryeministrit në fund të vitit”. Në përgjigje, ministrja e Financave, Anila Denaj, vendosi të mos thotë as po e as jo.

Sipas saj, shpërblimet do të varen nga treguesit e performancës për 3 muaj e fundit të vitit. “Ne do të shikojmë të gjitha vlerësimet që kanë të bëjnë me zërat e shpenzimeve. Në muajit në vijim, në çdo mundësi të parë për të alokuar këtë fond do ta shikojmë të mundur. Por kjo është pjesë e një analize të tremujorit të ardhshëm dhe është shumë e parakohshme për të thënë sot që do ta marrim parasysh. Në bazë të performancës së treguesve, kjo do të ketë edhe një vëmendje edhe më të shtuar”, tha Denaj. Shpërblimet me rastin e festave të fundvitit i kushtojnë qeverisë rreth 30 milionë dollarë, nga ku përfitojnë më shumë se 650 mijë pensionistë një çek në vlerën e 5 mijë lekëve.

EKONOMIA

Ministrja u ndal edhe në situatën ekonomike, duke vënë theksin në faktorët që kanë çuar në ngadalësimin e ekonomisë. “Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2019, e cila shënon 2.3% krahasuar me rritjen e vitit të kaluar, atribuohet kryesisht nga një tkurrje e thellë e prodhimit të energjisë elektrike këtë vit, që pasqyron kontrastin e fortë të situatës hidrike të këtij viti dhe të një viti më parë, duke ndikuar me 1 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës. Edhe sektori i lojërave të fatit ka ndikuar në këtë rritje dhe në qoftë se këto dy sektorë do të kishin pasur të njëjtën performancë si vitin e kaluar, sigurisht që ne do të flisnim me tregues të tjerë”.

BUXHETI

Sa i përket Aktit Normativ për buxhetin 2019, Ministrja Denaj theksoi se rialokimet e fondeve janë bërë duke pasur në vëmendje: Policinë e Shtetit dhe pagesat e orëve jashtë orarit, Reformën në Drejtësi, Ministrinë e Mbrojtjes për elementë që lidhen me detyrimet ndaj NATO, ndërtimin e Bulevardit të Ri të Tiranës dhe bypassin e Fierit, si edhe garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21 shtator 2019.

Panorama.al

Related posts

Tahiri në sytë e mediave botërore

Mila

Fiksimi i ri i Instagram-it

alba

Haradinaj: Serbia përdor Kosovën për krizën e saj politike

Na Kontaktoni!