HomePolitikë

Negociatat/ Balla: Vendimi i BE-së lidhet me …

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla deklaron se mos vendimmarrja e BE për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me atë çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë këto dy vende. I ftuar në “Real Story” në News24 përballë analistëve e gazetarëve, Balla tha se nuk ka një argument të qëndrueshëm për veton e përdorur nga Franca, duke theksuar se mos vendimmarrja lidhet më shumë kontekste të brendshme.

“Teksa vija për këtu, më kishte shpëtuar dje por e lexoja tani një ‘Tëitter’ të Wolfgang Ischinger, presidentit të konferencës së Munihut, i cili perifrazonte dy vendime të gabuara të marra pothuajse në të njëjtën kohë, Europës bashkë, përfshinte këtu dhe vendimin e SHBA-ve lidhur me tërheqjen e trupave nga Siria por rendiste po aq të rëndë dhe vendimin për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kurrë më parë në një rast të ngjashëm, edhe në historinë e re apo të vjetër të BE nuk kemi një numër kaq të madh qeverish, presidentë, kryeministra apo dhe përfaqësues të parlamenteve, kujtoj këtu deklaratën e djeshme të dy personaliteteve të nderuara të CDU/CSU që jo vetëm e rendisin si të gabuar por dhe një formë rebelimi teksa politikanë të shumtë të Europës janë rebeluar kundrejt kësaj vetoje të përdorur nga Franca, për të cilën nuk kam një argument të qëndrueshëm”, deklaroi Balla.

Balla nuk e sheh qëndrimin e Francës të lidhur me azilkërkuesit shqiptarë. Ai tha se shqiptarët në gjithë këto vite destinacion primar kanë Gjermaninë për shumë arsye. “Gjermania si vend praktik ka ndryshuar legjislacionin e azilit dhe legjislacionin që ka të bëjë me rezidencën e përkohshme për punësim të përkohshëm. Në rastin në fjalë Këshilli Europian nuk mori asnjë vendim dhe nga Këshilli Europian nuk kemi asnjë arsye që lidhet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi një element që është vënë në dukje prej vitesh, që nga viti 1960 ende nuk ka ndryshuar sistemi i vendimmarrjes për çështje të këtij karakteri në strukturën vendimmarrëse të BE-së. Mosvendimmarrja nuk lidhet aspak me atë çfarë ka bërë apo çfarë nuk ka bërë Shqipëria.
Mos vendimmarrja lidhet me shumë kontekste të brendshme”, u shpreh Balla.

Balla u shpreh se sa i takon negociatave, përgjigja e Bundestagut ka qenë PO, pasi përgjigje pozitive kishte edhe kancelarja Angela Merkel. Balla shtoi se francezët nuk dinë se çfarë kërkojnë.

Taulant Balla: Vendimi i Këshillit Europian ka qenë një vendim i kushtëzuar. Ka qenë kriter që të bëhet vettingu. E dyta ishte edhe ngritja e SPAK dhe ngritja e Byrosë së Hetimit. Procesi i bisedimeve për anëtarësim ka filluar që herët, u vendosën ca kushte për hapje negociatash e ne i plotësuam.

Agron Gjekmarkaj: Taulant, çfarë vlere ka propaganda nëse nuk ka rezultate konkrete?

Taulant Balla: Ne nga shtatori i 2018 kemi bërë një punë tepër të shkëlqyer. Kemi zhvilluar konferencë ndër-qeveritare. Vendimi i Bundestagut për mua ka qenë PO, sa kohë që kancelarja gjermane tha se unë kam PO të Bundestagut. Pra, gjermanët u kujdesën që gjithçka ta detajojnë. Është thënë qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk hapin negociatat, për shkak se kanë arsyet e veta ata të BE e nuk janë arsyet tona.

Agron Gjekmarkaj: Fjalimet i bën në parlament e jo këtu.

Taulant Balla: Këshilli Europian vlerësonte Shqipërinë për reformën në drejtësi, kurse Maqedoninë e Veriut për ndryshimin e emrit. Edhe francezët nuk e dinë se çfarë kërkojnë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Edhe Serbia ka mbetur në vend e nuk hapen më kapitujt, edhe për Malin e Zi nuk po hapet kapitull derisa të ndajnë mendjen. Shqipëria ka vetëm plan A, nuk ka plan B. Ne duhet vetëm të përmbushim standardet që na kërkohet dhe kemi bërë detyrat tona.


Balla tha se maxhoranca ka vite që e pret PD-në për reformën zgjedhore por edhe kjo pritje ka një fund. Sipas tij PD nuk mund ta mbajë peng këtë reformë duke përmendur dhe atë çfarë ka kërkuar Bundestagu.

“Ne e kemi pritur PD-në me vite. Që në 2016 e presim PD-në të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pritja e ka një fund. Dokumenti i Bundestagut e ka të qartë që reforma duhet miratuar me konsensusin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. PD nuk mund ta mbajë peng”, deklaroi Balla.

Ndërkohë analisti Gjekmarkaj tha se maxhoranca ka gënjyer shqiptarët dhe duhet të kërkojë falje.
“Kjo maxhorancë ka gënjyer shqiptarët dhe duhet të kërkojë falje. Ka dështuar me negociatat. Kjo qeveri duhet të ikë sepse nuk ka faj Zaev që të marrë përgjegjësi për gjithë shqiptarët. Duhet të ikë kjo qeveri. Atje u mblodhën maqedonas dhe shqiptarë. Këtu jemi ende shqiptarë dhe serbë. Kjo qeveri po korr hashashin që ka mbjellë si projekt politik. Po korr zgjedhjet moniste, po korr mungesën e institucioneve. Nuk kemi si ta fajësojmë Europën, faji qëndron në Shqipëri. Në këto 7 vjet po flasim 4 herë për çelje negociatave”, tha Gjekmarkaj.

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla kujtoi vendimin e Këshillit Europian në vjeshtën e kaluar.

“Nxirrni vendimin e Këshillit Europian që thotë Këshilli Europian mori vendimin për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor 2019”, u shpreh ai.

Analisti Gjekmarkaj u ndal në një moment tjetër, duke kujtuar deklaratat e ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
“E kam dëgjuar zv.ministrin e Punëve të Jashtme, tha një gjë jo shumë serioze për staturën që ne nuk kemi premtuar të hapim negociatat kështu që nuk kemi pse të mbajmë përgjegjësi politike si Zaevi”, u shpreh ai.

Por duke komentuar deklaratat e bëra në të kaluarën, Balla theksoi se beteja më e vështirë ka qenë Gjermania.
“Së pari, për mua personalisht por edhe për grupin tim parlamentar dhe për qeverinë e kryesuar nga kryeministri Rama, beteja më e vështirë dhe më kuptimplotë ka qenë Gjermania. Pse? Sepse në fund të fundit, Gjermania ishte i vetmi vend që përfshin një vendimmarrje me parlament. Ju e keni ndjekur, beteja dhe në kuptim të numrave por edhe në nivelin e deklaratave. Në momentin që unë kam qenë i bindur që në maj kur është bërë ajo deklaratë dhe pastaj filloi kristalizimi përmes komunikimeve i vendimeve të tre grupeve politike që mbështetën Shqipërinë, që formësuan atë vendim. Në vlerësimin tim, Bundestagu që padyshim dha një po por edhe një mekanizëm, një matricë detyrash shtëpie që bashkëshoqëruan procesin”, u shpreh Balla.


TË NGJASHME