HomePolitikë

Negociatat/ Bushati, propozon amendime për Rezolutën e Kuvendit

Ish-ministri i Jashtëm, deputeti socialist Ditmir Bushati ka dalë sot me amendament, lidhur me projekt-rezoluten e Kuvendit, për celjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarsim në Bashkimin Evropian. 

Bushati thekson që në krye se duhet ndryshuar emërtimi i projekt rezolutës. Më pas, numëron pika të tjera të rezolutës që duhet të ndryshohen, së bashku me argumentin përkatës se përse e bën këtë propozim.

Amandamentet e Bushatit për PROJEKT-REZOLUTËN

KUVENDI

RELACION SHPJEGUES
PËR AMENDMENTET NË PROJEKT-REZOLUTËN
“Për çeljen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, propozim i Komisionit për Integrimin Evropian”

Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë si dhe të ligjit nr 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” paraqes amendimet në Projekt-Rezolutën “Për çeljen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, propozim i Komisionit për Integrimin Evropian, depozituar në Kuvend me datë 18.9.2019, nr. prot 3298.

Është e rëndësishme që Projekt-Rezoluta që do të shqyrtohet nga Kuvendi, t’i përcjell Bashkimit Evropian thirrjen tonë unanime për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, Projekt-Rezoluta duhet të pasqyrojë me korrektësi faktet që e kanë shoqëruar vendin tonë në këtë proces, duke njohur progresin e arritur dhe skicuar rrugën drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim, me fokus të veçantë, rolin e Kuvendit në këtë proces.

Bazuar në nenin 71 të Rregullores së Kuvendit, paraqes amendamentet si më poshtë:

Në përputhje me rolin e Kuvendit, propozoj ndryshimin e titullit të Projekt-Rezolutës si vijon:

Projekt-Rezolutë “Për mbështetjen e procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Kjo, pasi  Kuvend i Republikës së Shqipërisë nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo është një kompetencë eksluzive e Vendeve Anëtare të BE-së. Ndërkohë, ndryshimi i titullit të Projekt-Rezolutës, reflekton rolin që Kushtetua dhe më specifikisht ligji nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” i njeh Kuvendit.

Gjithashtu, propozoj ndryshime në preambulën e Projekt-Rezolutës, ku pas paragrafit 4, të shtohen tre paragrafë si vijon:

Duke marrë në konsideratë rekomadimin e qartë të Komisiont Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Këshilli Evropian, të Qershorit 2018, i cili përcakton fundvitin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të këtyre bisedimeve.

Duke vlerësuar punën përgatitore të nisur nga Komisioni Evropian me institucionet shqiptare në lidhje me analizën e legjislacionit shqiptar kundrejt acquis të BE-së, të njohur si procesi“screening”.

Duke rikonfirmuar angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë nr. 1621, datë 24.05.2018, “Për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë”.
Ndryshimet e mësipërme janë në sintoni me rrugën që ka përshkuar vendi ynë deri tani. Më konkretisht, në qershorin e 2018-ës, Vendet Anëtare të BE-së vendosën t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Po ashtu, Vendet Anëtare përcaktuan rrugën drejt zyrtarizimit të bisedimeve, përmes një procesi përgatitor (“screening”) dhe afatazimin e tij, duke përcaktuar qershorin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të bisedimeve dhe fundin e këtij viti për organizimin e Konferëncës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon fillimin e bisedimeve.

Në maj të këtij viti, Komisioni Evropian rikonfirmoi rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shoqëruar atë me nevojën për konsensus kombëtar për çështjet e lidhura me integrimin në BE dhe për tejkalimin e polarizimit politik dhe ndasive të theksuara. Për shkak të afateve të ngushta kohore, nga publikimi i rekomandimit të Komisionit Evropian dhe zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, Vendet Anëtare të BE-së nuk e morën në shqyrtim këtë çështje në mbledhjen e qershorit, duke e shtyrë për në tetor, por në të njëjtën kohë, rikonfirmuan konkluzionet e qershorit të 2018-ës.

Duke mbajtur parasysh faktin se vjet Kuvendi ka miratuar Rezolutën “Për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë” me datë 24.05.2018, ku Kuvendi angazhohet për ta mbështetur këtë proces, Projekt- Rezoluta e këtij viti duhet të mbështetet mbi punën e nisur që nga momenti që Komisioni Evropian për herë të parë rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo, pasi procesi i bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, përveçse sfidues dhe impenjativ, qartësisht kapërcen mandatin e një legjislature. Prandaj, është e domosdoshme hedhja e hapave gradualë që bazohen mbi arritjet e përvitshme.
Në përmbajtjen e Rezolutës propozoj ndryshimet e mëposhtme:

Pika 5, të ndryshojë si vijon:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë angazhohet të bashkëpunojë dhe nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsiont (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.

Pika 8, të ndryshojë si vijon:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.

Pika 9, të ndryshojë si vijon:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.

Pas pikës 9 të shtohet pika 10 si vijon:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Pika 10 të bëhet 11 dhe të ndryshojë si vijon:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbeshtetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.

Ndryshimet në pikat 5, 8 dhe 9 të Projekt-Rezolutës synojnë vendosjen e theksit tek përmbushja e disa angazhimeve parësore në procesin e anëtërësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e që lidhen drejtpërdrejt me miratimin e reformës zgjedhore në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR; me funksionomin e disa prej organeve kyçe të reformës në drejtësi; si dhe me nevojën për të konsoliduar ritmin e reformave në fusha që kanë pikëprerje me sundimin e së drejtës. Këto fusha përkojnë edhe me detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 të acquis, kapituj që do të diskutohen të parët, bazuar mbi qasjen e përforcuar të BE-së ndaj sundimit të së drejtës.

Paralelisht me përmbushjen e angazhimeve të mësipërme, Këshilli i Ministrave duhet të përfundojnë e paraqes para Kuvendit, planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Kjo sepse vendi duhet të demonstrojë që në Konferencën e Parë Ndërqeveritare gadishmërinë dhe kapacitetin për të ndërmarrë e zbatuar me rigorozitet të gjitha angazhimet që burojnë nga ky proces. Roli mbikqyrës dhe nxitës i Kuvendit bëhet gjithnjë e më i pazëvendësueshëm, pasi procesi i bisedimeve të anëtarësimit kërkon konsensus mbipartiak që mund të jetësohet në Kuvend.

Në këtë kontekst, propozohet edhe thirrja e përbashkët drejtuar Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian, që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbeshtetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.
Përsa më sipër, mirëpres përfshirjen e amendamenteve të propozuara në këtë Projekt-Rezolutë

Deputeti propozues

Ditmir BUSHATI


TË NGJASHME