HomePolitikë

Negociatat/ Cakaj: Sot BE përballet me një zgjedhje historike

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është shprehur se sot BE përballet me një zgjedhje historike. Sipas tij, vendimi i sotëm do të jetë një provë e aftësisë për të realizuar premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen.

“Shqipëria ka ndërmarrë reforma gjyqësore ambicioze dhe të guximshme duke u shndërruar në udhërrëfyes në rajon. Tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit”, ka theksuar ai.

Cakaj ka shtuar se, “Një vonesë tjetër mund të ngadalësojë/ndërpresë progresin dhe reformat, të minojë besueshmërinë dhe rrezikojë forcimin e rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor”.

“Kjo, është ora e Europës. Ne nuk kemi nevojë për një BE të kufizuar, izoluese, jo të interesuar dhe të paangazhuar, por union që është i hapur, i drejtë dhe një rreze shprese në periudha të trazuara”, shkruan Cakaj.

Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga vendim i KE, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në një mëngjes pune së bashku me Ministrat e Jashtëm nga radhët e Partisë së Socialistëve Evropianë të vendeve anëtare të BE-së, ku pati rastin të shpalosë edhe një herë progresin e Shqipërisë për çeljen e negociatave. Mësohet se në këtë takim të shkurtër u diskutua për vendimin për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të gjithë Ministrat e pranishëm, rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë proces.

Ministri i jashtëm Gjerman, njëherësh kryesues i takimit, shprehu serish përpjekjet e tij për të arritur një konsensus në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave për një ‘PO’ të qartë mbi çeljen e negociatave për të dy vendet. Cakaj do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Luksemburg.


TË NGJASHME