HomePolitikë

Negociatat, Cakaj: Vendimi i Këshillit pozitiv, asnjë kusht shtesë

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka sqaruar edhe njëherë se përse sipas tij vendimi i Këshillit në Luksemburg për negociatat me Shqipërinë ishte pozitiv dhe i rëndësishëm.

Përmes një postimi në facebook, ai shprehet se shtyrja vjen si rrjedhojë e pengesave procedurale dhe se vonesa në publikimin e Raportit të Komisionit është duke u manifestuar në vonesën në vendimmarrje të Këshillit.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme tashmë ka vendosur shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mundësinë e parë objektive por jo më vonë se në tetor 2019.

Kjo shtyrje vjen si rrjedhojë e pengesave proceduriale dhe ngarkesave të brendshme të vendeve anëtare të BE-së. Vonesa në publikimin e Raportit të Komisionit është duke u manifestuar në vonesën në vendimmarrje të Këshillit. Fundja, vetë Këshilli në konkluzionet e tij të fundit nënvizon se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, krahasuar me rëndësinë e çështjes, vendimi do të shtyhet për më së voni në tetor.

Vendimi i djeshëm i Këshillit për Shqipërinë është i rëndësishëm për tre arsye kryesore:

E para, Këshilli përqafon në tërësi Raportin e Komisionit që rekomandon hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. Pra, dje është vendosur një unitet i plotë midis rekomandimeve pozitive të Komisionit dhe qëndrimeve politike të Këshillit. Kjo shënon edhe një hap më përpara në përkthimin e vlerësimeve teknike të Komisionit në vullnetin politik të Këshillit.

E dyta, Këshilli ka bërë një trajtim pothuajse identik të Shqipërisë dhe Maqedonisë të Veriut. Gjithsesi, duke iu referuar meritave të veçanta të gjithsecilës, Këshilli nuk ka përcaktuar ndonjë avantazh paraprak të Shqipërisë ose Maqedonisë të Veriut sa i përket avancimit të mëtejmë në procesin e anëtarësimit. Në këtë kuptim, shmangia e çfarëdo trajtimi diferencues politik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut meriton konsideratë të veçantë.

E trera, Këshilli ka përcaktuar shprehimisht se vendimi i ardhshëm do të jetë ‘i qartë’ dhe ‘përmbajtësor’ për Shqipërinë. Kjo nënkupton se vendimi i ardhshëm do t’i jep trajtë konkrete dhe të mirë-përcaktuar angazhimit të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Rrjedhimisht, Shqipëria ka shmangur mundësinë e përfshirjes një situate të papërcaktuar politike ku vendimi i prerë do të zëvendësohej me diskutim të vazhdueshëm.

Në fund, Shqipëria nuk është ngarkuar me asnjë kusht shtesë në rrugëtimin e saj evropian. Komisioni ka dhënë dëshminë e plotë se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme teknike për të filluar me hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në. Shqipëria duhet të vazhdojë punën e saj intensive me vendet anëtare për të siguruar një vendim pozitiv më së largu në tetor. Pavarësisht faktorëve tjerë që kanë ndikuar në shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave deri tani, duhet të theksohet se Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE që vitin e kaluar ?????!


TË NGJASHME