HomeRajon

Negociatat/ Gazeta gjermane paralajmëron

Gazeta gjermane “Stuttgarter-Zeitung”, shkruan se rruga e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hyrë në BE është e gjatë, por tani po bëhet një hap i madh.

“Bundestagu do të pajtohet këtë të enjte për hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, njoftoi eksperti evropian i SPD Christian Petry. Gazeta shkruan se kancelarja Angela Merkel do të jetë në gjendje ta aprovojë këtë në Këshillin Evropian në mes të tetorit.

Sinjali pozitiv nga Berlini është shpresa për Zyrën e Jashtme, por tani duhet të binden vendet hezituese të BE-së, Danimarka, Franca dhe Holanda për të dhënë “po-në” e tyre për Ballkanin.

Gunther Krichbaum, kryetari i Komitetit për Çështjet Evropiane në Bundestag, pranon se “kam ende një dhimbje të fortë në stomak duke pasur parasysh progresin ende të pamjaftueshëm të reformave“, por ne kemi formuluar tani kërkesa të qarta të matshme për bisedimet që po fillojnë.

Kolegu i tij i grupit Peter Beyer mirëpret “zgjidhjen e diferencuar” që tani është gjetur.

“Ne jemi duke hapur rrugën për bisedimet e pranimit në BE, i cili është një sinjal tepër i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor,” shtoi Beyer.

Social Demokrati Petry thekson se bisedimet e pranimit, gjatë të cilave vendet duhet të vazhdojnë të përshtaten me ligjin e BE-së, mund të bëhen “një shtytës kryesor i reformës dhe stabilitetit në rajon”.

Më 15 tetor, Këshilli Evropian i Ministrave në Luksemburg do të marrë vendimin zyrtar që krerët e shteteve dhe qeverive do të miratojnë dy ditë më vonë. “Tani kjo varet kryesisht nga Franca, ku shqetësimet janë edhe më të theksuara sesa në Gjermani”, thotë Krichbaum.

Nuk përjashtohet mundësia që, nëse është e nevojshme, të ketë vetëm dritën jeshile për Maqedoninë Veriore, por jo edhe për Shqipërinë, përmbyll artikullin e saj gazeta gjermane.


TË NGJASHME