HomePolitikë

Nënshkruhen tre marrëveshje Turqinë, Cakaj: Njihen patentat shqiptare

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij turk, ministri Mevlut Çavu?o?lu.

Mes homologëve janë nënshkruar tre marrëveshje ku e para ka të bëjë me njohjen e patentave shqiptare në Turqi. Më tej janë nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera, njëra ka të bëjë me shkëmbimin e diplomatëve dhe tjetra me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ekstremizmit dhe terrorizmit.

Ministri Cakaj shprehet se marrëveshja për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e Lejeve të drejtimit”, do të lehtësojë lëvizjen dhe do të eleminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura jo vetëm në lidhjet historike por edhe të mirë-vendosura në një rrafsh ndërveprimi intensiv dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare e partneritet të qëndrueshëm në NATO.

Mbështetja e ofruar nga Turqia në një prej orëve më të errëta të historisë së Shqipërisë do mbahet mend shumë gjatë. Por, natyra nuk kurseu as Turqinë. Shpreh ngushëllim për jetët e humbura nga tërmeti. Turqia vijon të jetë një ndër kontribuuesit kryesorë dhe mbështetës të Shqipërisë, por jo vetëm edhe të KFOR-it në Kosovë.

Njohim edhe kërcënimet e sigurisë së Turqisë në kufijtë e saj, por edhe që ka mbajtur miliona refugjatë sirianë në vendin e saj. Ajo është një kontribut i përgjithshëm për sigurinë Europiane. Ne sot po ashtu kemi nënshkruar tre dokumente apo marrëveshje.

Marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e Lejeve të drejtimit”, e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe do të eleminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Së dyti, Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve, që do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Së treti, ‘deklaratën e përbashkët’ ndërmjet dy ministrive që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit.”- tha Cakaj.

Ndërkohë marrëveshja e re për patentat pritet që kalojë nga parlamenti shqiptar dhe ai turk.

Përmendim këtu edhe faktin që vitin e kaluar edhe Greqia njohu patentat shqiptare por marrëveshja u miratua në Parlamentin grek në janarin e këtij viti.

Nga ana tjetër Ministri i Jashtem i Turqisë ka përsëritur rrezikun që ka vendi ynë nga organizata FETO.

“Do të jemi më aktivë dhe presim mbështetjen e palës shqiptare, në bashkëpunim tepër të ngushtë me një vend vëlla si Shqipëria. FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë por edhe vendet ku ndodhet, duhet ta dinë mirë se FETO në disa vende është një organizatë që kontrollohet nga shërbimet sekrete të disa vendeve. Ne i kemi shpjeguar vëllezërve tanë për rrezikun dhe kërcënimin edhe në takimet qe kemi pasur me kryeministrin Rama dhe Gentin, se cfarë kërcënimi përfaqëson FETO për Shqipërinë”- tha ai duke shtuar se vizita e tij është përgatitore në kuadër të vizitës së ardhshme që do të bëjë presidenti Erdogan.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME