HomeShowbiz

New York Times zbulon faktet e tmerrshme për Victoria’s Secret

Për dekada me radhë, Victoria’s Secret konsiderohej nga shumë gra si përkufizim i feminitetit. Katalogët dhe shfaqjet e modës së kompanisë ishin ndër më të përfolurit. Modelet të cilat quhen Angels (engjëj) fitonin një famë të rëndësishme ndërkombëtare.

Mirëpo një investigim i New York Times nxorri në pah një anë të errët të kompanisë me bullizëm ndaj grave, përçmim, paragjykim dhe ngacmime seksuale.

Investigimi i prestigjozes amerikane përfshiu intervista me më shumë se 30 drejtues aktualë të Victoria’s Secret, ish-punonjës, punonjës, partnerë, modele dhe dokumente gjyqësore.

Ed Razek, për dekada me radhë, ishte një nga drejtuesit më të lartë të L Brands, kompania mëmë e Victoria’s Secret. Ai ishte subjekt ankesash të përsëritura për sjellje të papërshtatshme; përpiqej të puthte modelet dhe u kërkonte t’i uleshin në prehër.

Engjëjt në ferr: New York Times zbulon faktet e tmerrshme për

LESLIE WEXNER (M) DHE ED RAZEK (D)

Drejtuesit thanë se e kishin paralajmëruar Leslie Wexner, themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të L Brand, për sjelljen e papërshtatshme të zëvendësuesit të tij. Disa gra të cilat ishin ankuar, ishin përballur me hakmarrjen e tij. Andi Muise, një modele, u shpreh se u ndalua të merrte pjesë në shfaqjen e VS pasi kundërshtoi Ed Razek, i cili i kërkoi favore seksuale.

Engjëjt në ferr: New York Times zbulon faktet e tmerrshme për

ANDI MUISE, 2007

Ed Razek është parë me skepticizëm edhe më parë, pas deklaratave fyese ku është shprehur se nuk do të marrë kurrë në shfaqje modele plus-size dhe transgjinore.

Atmosfera në kompani ishte e tillë që Razek konsiderohej si përfaqësues i Wexner, duke i lënë të gjithëve përshtypjen se ishte i pathyeshëm. Madje në shumë raste, vetë Wexner thuhej se keqtrajtonte gratë.

Intervistat me modelet dhe punonjësit e tjerë nxjerrin në pah anën e errët të kompanisë, e cila u pa me dyshim kur u përfol lidhja e Wexner me financierin Jeffrey Epstein, kriminel i arrestuar për abuzim seksual dhe abuzim e trafikim të miturish. Epstein menaxhonte pasurinë shumë-miliardëshe të Wexner dhe thuhet se joshi dhe abuzoi me shumë gra, duke u hequr si përfaqësues i Victoria’s Secret.

Pas raportimit të NYT, Tammy Roberts Myers, zëdhënëse e L Brands, u shpreh: “Na vjen keq për çdo rast kur nuk kemi arritur objektivin dhe jemi plotësisht të përkushtuar për përmirësimin e vazhdueshëm dhe përgjegjshmërinë e plotë.”

Në asnjë moment, ajo nuk kundërshtoi raportimet e New York Times.

Ed Razek u shpreh përmes një emaili se “raportimet janë të pavërteta, të gabuara dhe të marra jashtë kontekstit”, ndërsa Wexner nuk pranoi të komentojë.

Ky investigim duket se është një goditje e fundit, akoma më e fortë, për VS, kompani që po kalon ditët më të vështira – me qindra dyqane të mbyllura, anulim të shfaqjes vjetore dhe sigurisht kritika nga vajzat dhe gratë.


TË NGJASHME