Aktualitet Lajme Politikë

Nga aksioni i shtatorit te 13 tetori, Basha flet prerë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka theksuar sot edhe njëherë prerë se zgjidhja e krizës totale në vend kalon vetëm mes zgjedhjeve të lira e te ndershme, pa Ramën kryeministër dhe me një qeveri tranzitore që t’i garantojë ato.

“Mali i provave është bërë më i lartë se mali i Dajtit. Zgjidhja e kësaj krizë kalon mes zgjedhjeve të lira e të ndershme, një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë më ato lokalet. PD dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët, pjesë e këtij takimi ishte dhe takimi i sotëm me Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU për Europën”- tha Basha, në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, “Një gjë është e sigurt, opozita dhe PD janë të vendosura në qëllimin që i kanë vënë vetes prej ditës së parë, ti shërbejnë qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për karriget tona dhe pushtetin tonë, por do të vijë mes garancive që do pengojnë cdo qeveri të ardhshme të bjerë në të njëjtin batak”.

Basha ka folur për aksionin e shtatorit, duke nënvizuar se ai do të jetë vijim i aksionit të pandërprerë të opozitës. “Së bashku me shqiptarët, opozita vec protestave që do të jenë edhe më të mëdha e të fuqishme, do të fokusohet në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, në rrafshin e përditshmërisë. Po punojmë në kuadër të programit tonë për marrëveshje me grupet e interesit, dhe nga ana tjetër për platformën për Shqipërinë si Evropa, që jemi gati që bashkë me shumicën e shqiptarëve të dëshmojmë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhenë fund problemeve që kanë bllokuar perspektivën evropiane të vendit”.

Prononcimi i plote 

Z. Basha, a mund të na thoni diçka për takimin me delegacionin gjerman. A erdhën ata për zgjidhjen e krizës?
Pikërisht këtu dua të vij. Pra, kjo është një provë më shumë, a thua se duhen më shumë prova, se mali i provave është bërë më shumë se mali i Dajtit, që zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.
Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim. Një gjë është e sigurtë, opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike janë të vendosura në qëllimin që i kanë vënë vetes prej ditës së parë. Ky qëllim është t’i shërbejë interesit të qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për hir të karrigeve tona apo të pushtetit tonë. Zgjidhja e kësaj krize duhet të vijë përmes pushtetit të atyre mekanizmave dhe atyre garancive që do të pengojnë çdo qeveri të ardhshme të bjerë në të njëjtin batak. Ky është misioni im, ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i opozitës së bashkuar.

Zoti Basha, së shpejti nis edhe sesioni i ri parlamentar. A do të nisin bashkë me të edhe protestat e opozitës? Çfarë aksioni politik do të ketë shtatori?
Opozita ka vazhduar gjatë gjithë verës aksionin e saj, përfshirë edhe protestat, dhe do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë. Por së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikoj e parathonë protesta edhe më të fuqishme, paralelisht me këto do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, zgjidhje të cilat do të jenë si në rrafshin e përditshmërisë së tyre, ku po punojmë intensivisht, në kuadër të programit tonë për marrëveshje me të gjitha grupet e interesit, duke vijuar në shtator me biznesin e vogël dhe me fermerët, dhe më vonë edhe me grupet e tjera të interesit, dhe nga ana tjetër platformën për Shqipërinë si Evropa, që do të thotë se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë gati dhe janë gati që bashkë me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë edhe socialistët e ndershëm, të dëshmojnë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund problemeve të cilat kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, në veçanti luftën kundër krimit të organizuar, dekriminalizimin e plotë të politikës dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin, siç është rasti i dosjeve 184 dhe 339, për të cilat më kot ata që duhet dhe do të dalin para drejtësisë shpresojnë se do t’i varrosin me vapën e gushtit.

Gjermanët do të luajnë rolin e negociatorit?
Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ne e vlersojmë shumë rolin e tyre, vëmëndjen e tyre. Në këtë rast padiskutim që vlersojmë edhe rolin, interesin dhe ndihmën që Gjërmania, Bundestagu gjerman, CDU-CSU si pjesë e Bundestagut, japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, mos të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padiskutim që vend mund të shkojë dhe do të shkojë drejt Bashkimit Europian duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si shoqëri europiane, duke u sjellë si politikë europiane dhe pengesa kryesore sot për këtë është kapja politikës, institucioneve dhe ekonomisë nga një grup i strukturuar kriminal që tashmë çdokush e ka identifikuar si Organizata e Rilindjes me në krye Edi Ramën.

Zoti Basha, ju thatë se kërkoni një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato vendore. Por, çfarë ndodh me 13 tetor?
Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës. 13 tetori është një tjetër tregues i kapjes së të gjitha institucioneve të lira dhe i paligjshmërisë në të cilën është zhytur i ashtu quajturi Komision Qëndron i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera që e kishin për detyrë kushtetuese të nisnin procesin zgjedhor vendor me 13 tetor. Siç e keni parë, ata jo thjesht kanë dështuar, por në bindje të urdhrave politikë kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të dhënë një tjetër provë se me Edi Ramën nuk mund të ketë asnjë lloj procesi, as zgjedhor e as votimi. As kur kandidon vetëm, voton vetëm dhe numëron vetëm.

Zoti Basha, sa i përket Shkodrës, nëse KQZ vendos të bëjë zgjedhje të pjesshme në bazë të Kodit Zgjedhor, çfarë do të bëjë PD?
Kushtetuta është e qartë. KQZ mund të bëjë zgjedhje edhe në Vietnam, kështu siç kanë shkuar punët, por KQZ-ja nuk ka asnjë tagër të organizojë një proces kur i teket dhe si i teket, por duhet të ndjekë dhe të zbatojë Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit.

Related posts

Xavi mbron Messin: Ndoshta është i heshtur, por është lider absolut

Mila

I konsideroi zgjedhjet imagjinare, Spiropali i përgjigjet Metës

Xhensila Gotanews

Mbretëresha konfirmon në detyrë Boris Johnson

Klaudia gotanews
Na Kontaktoni!