HomePolitikë

Nga Gjykata Kushtetuese tek akt-akuzat për Thaçin e Veselin, reagon ashpër Meta

Presidenti i republikës, Ilir Meta tha në komunikimin e përjavshëm me gazetarët se është i gatshëm për bashkëpunim për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi. Për këtë ai i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për një takim urgjent, pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.

Meta shtoi se ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kushtetuese duhet të bëhet urgjentisht, pasi ky është kryekushti i Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Dua të përqendrohem mbi tre elementë kryesorë. Së pari po e nis me Komisionin e Venecias, për arsye të urgjencës që ka ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë Kushtetuese. Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare kryetarit të kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit, sepse është kryekusht nga PE. padyshim që edhe Bundestagu dhe KE, PE, Parlamenti Danez, etj, do ta marrin në variantin origjinal raportin e Venecias.

Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Kjo realizohet jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit nga të gjithë.

Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.

Ai foli ndër të tjera edhe për akt-akuzat e Prokurorisë Speciale në Kosovë për krime lufte ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Meta tha se kjo është një strategji provokative për të njollosur luftën e UÇK-së, duke shtuar se është i bindur se Thaçi e Veseli do të përballojnë me sukses e përgjegjshmëri çdo akuzë.

Ky është një zhvillim mjaft sfidant, i cili absolutisht që jam i sigurt që do të përballohet me urtësi, unitet dhe largpamësi nga jo vetëm nga këta dy personalitete, që ka qenë edhe drejtues i UÇK-së dhe Veseli, vlerësoj se nuk është sfidë personale, e jam i bindur se kjo do të përballohet me dinjitet, jashtë kalkulimeve afat-shkurtra të politikanëve në Kosovë. Nuk është hera e parë që në Kosovë ka akt-akuza, ndaj palës që donte të mbronte popullin e Kosovës.

Duket strategji për të njollosur UÇK-në, që luftoi kundër pushtuesit serb. Dua të shpreh solidaritetin tim me presidentin e Kosovës dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli. Jam i sigurt se ata do e përballojnë me dinjitet, duke konfirmuar drejtësinë e luftës së UÇK-së. Të minohet strategjia e për të njollosur UÇK-në”, deklaroi Meta.


TË NGJASHME