HomePolitikë

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Meta publikon letrën drejtuar Gramoz Ruçit

meta

Presidenti Ilir Meta ka bërë publike letrën drejtuar Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta u jep edhe një këshillë deputetëve që ta lexojnë me durim dhe kujdes letrën në fjalë.

“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës, e cila ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive nga secili institucion, po ju bëj publike letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
Po kështu, është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, shkruan Meta.

Teksa citon ligjin sipas të cilit, anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë, Meta nënvizon se KED nuk paraqet asnjë të dhënë që të “shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit”.

“Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, nënvizon Meta në letër.

Sipas Metës, me këtë vendim, KED e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë Kushtetues.

Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, thekon Meta në letër, nuk mund të emërojë gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese, së paku pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë, për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë.


TË NGJASHME