HomeSociale

Ngritja e SPAK/ Kandidatët gati brenda korrikut, publikohen datat e seancave

Seancat dëgjimore të kandidatëve që konkurrojnë për të qenë pjesë e SPAK, do të zhvillohen nga data 8 deri më 12 korrik, duke përfshirë jo vetëm prokurorët që kanë kaluar vetingun, por edhe ata që nuk janë përballur ende me KPK.

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktoi datat e intervistimit, që, sipas kryetarit Genti Ibrahimi, do të jenë publike për 23 kandidatët e Prokurorisë Speciale, të renditur sipas rendit alfabetik.

“Nga data 8 korrik deri më 12 korrik, zonjat dhe zotërinjtë që kanë emrin me A, do të kenë fatin të vlerësohen të parët e kështu me radhë. Të gjithë kandidatët do të intervistohen. Nuk do të presim përfundimin e vetingut. Pas intervistimit do të ulemi, do të bëjmë atë ushtrim aritmetikor të vendosjeve dhe mbledhjes së pikëve dhe do të shpallim listën tonë të fituesve. Ne do të rendisim të 23 kandidatët, pastaj ata që janë të gatshëm për të shkuar në SPAK, do të shkojnë pasi të kalojnë në fazat e procesit të vetingut”, u shpreh dje Genti Ibrahimi, gjatë një prononcimi për gazetarët, pas përfundimit të mbledhjes së 18- të të KLP.

Por nëse SPAK do të jetë me numër maksimal apo minimal prokurorësh, Ibrahimi thotë se Këshilli ia rezervon vetes të drejtën për të marrë një vendim për këtë çështje.

“Ne do ta krijojmë SPAK kur të kemi një numër të arsyeshëm prokurorësh që janë renditur në 15-shen tonë të parë, por që njëkohësisht kanë kaluar edhe në fazat e vetingut. Se sa do të jetë ky numër, 5, 8, 10, ky është një vendim që KLP do ta marrë në një moment të dytë. Do të ketë brenda edhe nuanca pragmatizmi. Në kuptimin që ne kemi nevojë ta fillojmë SPAK-un, por kemi edhe nevojë që ky organizëm të mos përmbytet nga punët, por të ketë një numër të caktuar prokurorësh që të bëjnë punën siç duhet”, tha Ibrahimi. Nga ana tjetër, sa i përket kohës se kur do të nisë nga puna Prokuroria Speciale Antikorrupsion, kreu i KLP u shpreh se Këshilli nuk merr vendim për krijimin e SPAK për sa kohë që kandidatët fitues nuk kalojnë shkallët e vetingut./panorama.al


TË NGJASHME