HomePolitikë

Nis vetingu për prokurorët, ja kush janë të parët

veting

Këtë javë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit fillon seancat dëgjimore ndaj kandidatëve për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion. Ndërsa të parët që do të përballen me hetimin e trefishtë janë Shkëlzen Cena nga Prokuroria e Dibrës dhe Enea Nakuçi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

Një muaj më parë, KPK ndaloi hedhjen e shortit për subjekte të tjera dhe pritet që gjatë muajve në vazhdim të zhvillohen seancat me 25 kandidatët e SPAK-ut, në mënyrë që të hapet rruga për ngritjen e këtij institucioni. KPK njoftoi se Shkëlzen Cena do të dalë para trupit gjykues, të përbërë nga Firdes Shuli, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi, ditën e mërkurë. Ndërsa hetimet për Ened Nakuçin janë kryer nga trupi gjykues i përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

Ai do të dalë në seancë dëgjimore, ditën e enjte, në datë 6 qershor. Disa muaj më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi miratoi listën zyrtare të kandidatëve, ia dërgoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si listë prioritare. Së bashku me kandidatët e SPAK, në seancë dëgjimore gjatë këtyre javëve do të dalë edhe kandidati për Prokurorinë e Përgjithshme.

KLP

Komisioni i Posaçëm, i ngritur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për verifikimin e kandidatëve për SPAK, bëri të ditur se kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore dhe mund të vazhdonin procesin e rivlerësimit ishin: Altin Dumani, Anita Jella, Anton Martini, Arben Kraja, Behar Dibra, Besim Hajdarmatja, Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, Donika Prela, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Elizabeta Imeraj, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Eugen Beçi, Klodian Braho, Maksim Sota, Manjola Kajana, Ndini Tavani, Shkëlzen Cena, Vatë Staka dhe Vladimir Mara.

Vlerësimin e kritereve ligjore, Komisioni i Posaçëm e bëri në një mbledhje të zhvilluar në datën 3 prill të këtij viti, në prani të përfaqësuesve të Operacioneve të Monitorimit Ndërkombëtar. Fillimisht, është vlerësuar përputhshmëria me bazën ligjore të çdo kandidati dhe më pas u kalua çdo dosje në shqyrtim nga çdo anëtar i komisionit. Me secilën dosje u njohën edhe përfaqësues të monitorimit dhe, bazuar në rregulloren në fuqi, Komisioni vendosi të bëjë vlerësimin paraprak të të gjithë kandidatëve për të përcaktuar nëse plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë.

PËRJASHTIMET

Pas vlerësimit të kushteve ligjore për 28 kandidatët fillestarë, Komisioni i Posaçëm në KLP skualifikoi aplikantin Gëzim Cenaj, pasi nuk plotëson kushtet ligjore për të vijuar garën. Konkretisht, nga studimi i dokumenteve të paraqitura rezultoi se nuk kishte qenë asnjëherë prokuror. Ndërkohë, për aplikantët Fatmir Hoxha dhe Irena Nino Komisioni vlerësoi se të dy kandidatët kanë qenë prokurorë të Republikës së Shqipërisë dhe secili prej tyre ka një vjetërsi mbi 10 vjet në sistem. Të dy kandidatët janë larguar nga sistemi me kërkesën e tyre. Por pavarësisht plotësimit të disa kritereve, Komisioni vlerësoi se hyrja në sistem e ish-prokurorëve është një proces i ndryshëm nga ai i ngritjes në detyrë, duke bërë që të skualifikohen.


TË NGJASHME