HomeSociale

Nisin aplikimet për pagesën e papunësisë, Denaj: Ja procedurat dhe kriteret

anila_denaj

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj njofton se kanë filluar aplikimet për pagesën e papunësisë në këtë kohë koronavirusi.

Sipas saj subjektet dhe qytetarët duhet të përcjellin kërkesën eletronike tek Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.

Ministria e Financave me anë të një postimi në faqen zyrtare paraqet urdhrin për procedurat dhe kriteret e përfitimit të pagesës së papunësisë së luftës gjatë situatës së koronavirusit.

URDHRI I MINISTRISË

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxjerr urdhërin, me anë të të cilit përcaktohet procedura dhe mënyra e përfitimit të pagesës së papunësisë se luftës, procedurën dhe mënyrën e operimit të shërbimeve të punësimit si pasojë e gjendjes së krijuar nga përhapja e epidemisë COVID-19. Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron në urdhërin e saj, regjistrimin për përfitimin nga pagesa e papunësise dhe procedurën për rastet e përfituesve të ndihmës ekonomike, për individët që nuk mund të marrin vërtetimin e papunësisë. Në bazë të këtij urdhëri, të gjitha shërbimet e punësimit do të ofrohen nëpërmjet komunikimit në distancë (nëpërmjet portalit e-albania, postës elektronike apo postës), për të lehtësuar komunikimin me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Punësmit dhe Aftësive (AKPA) dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve në kushtet e situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga epidemia COVID-19. Nëpërmjet urdhërit “Për mënyrën e procedimit të ofrimit të shërbimeve të punësimit dhe pagesës së papunësisë gjatë periudhës së gjendjes fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVID-19” përcaktohet se:

• Përjashtimisht, gjatë situatës së COVID 19, të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë qënë të rregjistruar deri në datën 10 Mars dhe që janë aktualisht përfitues të pagesës së papunësisë, nuk do të paraqiten në sportelet e zyrës së punësimit, por këto shërbime do t’i marrin online nga zyrat përkatëse.

• Përjashtimisht, gjatë situatës së COVID 19, qytetarët që duan të përfitojnë nga skema e pagesës së papunësisë dhe të cilët kanë ndërprerë marëdhëniet e punës pas datës 10 Mars, mund të aplikojnë pranë zyrave të Punës nëpërmjet komunikimit në distancë (nëpërmjet postës elektronike ose postë).

• Të drejtën për të aplikuar e kanë individët ose subjektet që kanë liruar punonjësit nga pozicioni i punës, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për lehtësimin e dokumentacionit e procedurave.

• Në rast se aplikuesi është subjekt, ai duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit listën e personave që rezultojnë të papunë për shkak të situatës së COVID 19, duke marrë një autorizimin (për përdorimin e të dhënave) për secilin prej tyre si më poshtë: Emër dhe mbiemër; numër kontakti për çdo person; ID –nr personal për cdo punonjës; datën e fundit të pagesës së sigurimeve shoqërore; numrin e llogarisë të cdo punonjësi, bankën ku ka llogari bankare.

• Në rast se aplikuesi është individ, aplikimi bëhet në zyrat e punës për të përfituar pagesën e papunësisë dhe paraqiten dokumentat e mëposhtëm nëpërmjet postës elektronike: Emër, mbiemër; ID – nr personal; Numër kontakti; Emri i punëdhënësit, nr tel/email; datën e fundit të pagesës së sigurimeve shoqërore; numrin e llogarisë të secilit dhe bankën ku ka llogari bankare.

Urdhëri i firmosur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, përcakton gjithashtu se, përjashtimisht gjatë periudhës së gjendjes sw fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVOD-19, të gjithë personat që do të marrin vërtetim si punëkërkues të papunë apo që duhet të paraqiten pranë zyrave të punës çdo muaj, nuk do të paraqiten fizikisht në këto zyra. AKPA do të konfirmojë elektronikisht listat në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe përmes sistemeve të menaxhimit të informacionit do të merren konfirmimet në bashkëpunim me SHSSH.  ***Urdhëri është hartuar në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 243, dt.24.03.2020, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të Akteve Normative me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, të VKM nr. 254, datë 27.03,2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë, ndihmës ekonomike dhe të pagesës së të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVOD-19”.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME