HomePolitikë

Një pjesë e marrëveshjes tregtare SHBA-Kinë pranë finalizimit

Administrata Trump theksoi sot se një pjesë e marrëveshjes tregtare që po negociohet me Kinën ishte pranë finalizimit.

Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer (USTR) dhe sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin zhvilluan sot një bisedë telefonike me kryenegociatorin për Kinën, Liu He.

“Ata kanë avancuar në disa çështje dhe dy palët janë pranë finalizimit të disa elementëve të marrëveshjes”, theksoi një komunikatë e USTR-së duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë në nivel delegacionesh.

Faza e parë e marrëveshjes, që mbetet për t’u shkruar në letër, përfshin një kapitull për të drejtat e pronës intelektuale, çështjet strukturore që përfshijnë bujqësinë, shërbimet financiare, një marrëveshje për blerjen e produkteve bujqësore.

Javën e kaluar, Robert Lighthizer njoftoi progrese të mëdha në këto negociata duke shpresuar se marrëveshja do të jetë gati për nënshkrimin e presidentit amerikan, Donald Trump muajin e ardhshëm në Kili në kuadër të samitit të APEC.//ATSH


TË NGJASHME