HomeShowbiz

Një tjetër film për Princeshë Dianën, por kush do ta luajë rolin e saj?


Aktorja Kristen Stewart është vendosur të luajë rolin e femrës më të famshme të të gjitha kohërave. Burimet e afërta raportojnë që Stewart do të luajë Princeshë Diana në ‘Spencer’ një dramë biografike që do të fokusohet në skenën e divorcit të Dianës me Princ Charles.

Filmi do të titullohet “Spencer” dhe ngjarjet janë vendosur në fillim të viteve 1990. Skenaristi i filmit thuhet se do të jetë krijuesi i “Peaky Blinders”, Steven Knight, ndërsa regjisori Pablo Larrain.

Filmi është vendosur të fillojë xhirimet në fillim të vitit 2021 dhe Diana do të shfaqet në një periudhë kohore prej tre ditësh në 1992, pasi ajo merr vendimin për të braktisur jetën mbretërore dhe martesën e saj me Princin Charles.

“Diana mbetet ende një ikonë e fuqishme, ku miliona njerëz, jo vetëm gra, por shumë njerëz në mbarë botën ndjejnë keqardhje ndaj saj për jetën e saj“, tha Larraín për Deadline.

“Ajo është një grua që, gjatë udhëtimit të filmit, vendos dhe e kupton se dëshiron të jetë sërish gruaja që ajo ishte para se të takohej me Charles.”

Stewart është e njohur më së miri për rolin e Bella Swan në Twilight nga 2008-2012, dhe gjithashtu u shfaq në filmin e vitit të kaluar Charlie’s Angels si dhe në Snow White and the Huntsman në vitin 2014.

Princesha e Uellsit është portretizuar në ekran më parë nga Naomi Watts dhe do të shfaqet në sezonin e katërt të dramës mbi familjen mbretërore të Netflix ‘The Crown”, e portretizuar nga Emma Corrin.

Sidoqoftë Kristen Stewart përveç profesionalizmit si aktore ngjan shumë me princeshë Dianën.


TË NGJASHME