HomeLajmi i Fundit

Një vit pas zjarrit në Notre Dame, riparimet ndalojnë

notre dame riparimet

Sot mbushet një vit nga zjarri i tmerrshëm që shkrumboi një nga monumentet fetare, kulturore dhe historike, më të rëndësishëm të Francës dhe botës. Të gjithë e mbajnë mend dhimbjen që vinte teksa gjithë bota shikonte live, nga të gjithë televizionet kombëtare dhe ndërkombëtare, flakët që përpinë katedralen famshme.

Paraliza e punëve publike nga pandemia, ka prekur dhe restaurimet në katedralen e Notre Dame. Pjesa e mobiljeve të brëndshme janë marrë nga artizanët të cilët po bëjnë riparimin e tyre jashtë saj. Tullat prej guri që janë dëmtuar por rindërtohen fillimisht 3D, në mënyrë që të zëvëndësohen në mënyrë identike. Disa nga dritaret e katedrales i kanë shpëtuar flakëve vetëm nga fakti që kishin shekuj pa u larë.

Patrick Chauvet, monsinjori i katedrales, tha: “Notre Dame është një zonjë e vjetër 850-vjeçare. Ajo është një zonjë e vjetër, e plagosur.”

“E për të gjithë të moshuarit, të dëmtuarit, ata që janë në karantinë, ose të izoluar në shtëpitë e azileve, mendoj se ka një lidhje simbolike. Këtu nuk është askush rreth Notre Dame, ajo ka mbetur vetëm, por nuk është braktisur.”

Gjenerali i ushtrisë, Jean-Louis Georgelin, përgjegjës për rindërtimin e Notre Dame, ka thënë se është ende e mundur që katedralja e shkatërruar nga zjarri, të rihapet në 2024 ashtu siç është premtuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, nëse të gjithë “përveshim mëngët”.

Ai këmbënguli se vonesat e papritura në punë nga koronavirusi për të rikthyer katedralen e shekullit të 13-të në lavdinë e saj të mëparshme, nuk ka pse të ndikojë në afatin pesë-vjeçar.

“Nëse të gjithë përveshim mëngët dhe puna është planifikuar mirë, është e mundshme që të realizohet kthimi i katedrales në një vend adhurimi, brenda pesë vjetësh. Natyrisht, zona rreth katedrales do të jetë larg nga mbarimi, dhe mbase pjesa e kupolës nuk do të përfundojë, por katedralja do të jetë përsëri një vend adhurimi dhe ky është qëllimi ynë.” – tha gjenerali francez.

Rreth 500 zjarrfikës kanë luftuar me zjarrin, për 15 orë, për të parandaluar që zjarri të përhapet nga çatia në dy kullat, që strehojnë këmbanat e katedrales. Nëse kornizat prej druri të kullës do te mernin flakë, mund të kishte shkatërruar kambanat. Aty është dhe këmbana më e madhe, Emmanuel, me peshë 13 tonë, e cila nëse do ishte shembur, do të shkatërronte të gjithë strukturën.

Ditët pas tragjedisë u pasuan nga një solidaritet mbarë-botërorë duke grumbulluar rreth 1 miliardë dollar donacione. Kjo shumë detyroi presidentin Macron të deklaronte falenderimet e tij dhe se nuk ka nevojë më për para duke specifikuar se tashmë puna është me e vështirë në aspektin teknik se atë monetarë.