HomeSport

“Njeriu i finaleve”, Zidane fiton trofeun e parë të sezonit me Real Madrid

Reali i Madridit e nis vitin e ri me një trofe të fituar, pasi ia ka dalë të bëjë të vetin Superkupën e Spanjës, që këtë sezon për herë të parë u aplikua në një format ndryshe, me 4 skuadra pjesëmarrëse.

Los Blancos ia dolën të mposhtin Atleticon e Madridit në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin “Mbreti Abdullah”, në Jeddah të Arabisë Saudite, në një ndeshje 90-minutëshi i të cilës nuk prodhoi asnjë gol, ndërsa kampioni u vendos nga pika e penalltisë.

Derbi madrilen në Superkupë ishte vërtetë spektakolar, me aksione nga të dy skuadrat që zhvilluan një lojë të hapur, por Courtois nga njëra anë dhe Oblak nga tjetra, konfirmuan sërish se janë dy nga portierët më të mirë në botë.

Ashtu si koha e rregullt, as koha shtesë prej 30 minutash nuk prodhoi fitues, ndonëse për pak minuta Los Colchoneros luajtën me një lojtar më shumë, pasi Valverde u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa për të mësuar fituesin, u desh ndihma e penalltive.

Carvajal, Rodrygo, Modric dhe Sergio Ramos u treguan të saktë për Realin, ndërsa nga kampi i Atleticos gabuan Thomas e Saul dhe dërgoi topin në rrjetë vetëm mbrojtësi anglez Kieiran Trippier.

Kujtojmë që në gjysmëfinale Reali i Madridit eliminoi Valencian në një ndeshje të dominuar totalisht, ndërsa Atletico nxori jashtë Barcelonën, pas një përmbysjeje të çmendur.


TË NGJASHME