HomePolitikë

‘Ka bërë edhe gjëra të mira’, Rama flet për vendimin e Metës dhe takimin në Shkodër

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorët e njësisë numër 6 në Tiranë ka komentuar edhe takimin që mbajti ditën e djeshme në Shkodër, teksa e quajti të çuditshme dhe të papranueshme veprimin e opozitës.

“Është e çuditshme, më kujtohet në zgjedhjet e 2009, edhe pse bënin rezistencë për skenën e bulevardit, nuk ka ndodhur asgjë që PD-PS të përplasen. Edhe në mitingun e fundit që në kohën që mbaj mend unë që ishte Fatosi negociohej, do e marrësh ti apo unë sheshin “Nënë Tereza” dhe bëhej negociatë.

Tani që i bën thirrje popullit të bllokojë kryeministrin që të futet në qytet e të rrezikosh, është njësoj si enveristët e ‘91, që krijonin 200-300 veta e shkonin te mitingjet e PD, një turp i madh, njësoj. Imagjinoni t’ja bëjnë Lulit, që ti nuk vjen, është skandal. Manipulojnë punonjësit e bashkive, u thonë dil se do të heq nga puna dhe flasin këta për…”, tha Rama.

Ai nuk la pa komentuar edhe Presidentin Meta, për të cilin tha se është si “hëna, herë e plotë e herë e qorruar komplet”, ndërsa ritheksoi se Meta e bëri një veprim të tillë për të nxitur dhunën.

“Ka bërë gjëra të mira, ka bërë gjëra të këqija, nuk kemi ça i bëjmë, është personazh kompleks. E bëri për të nxitur dhunën pa diskutim dhe ka gjithë këto ditë që sa ka thënë një fjalë kundër dhunës, përkundrazi. Ajo ishte fatale për të. Gabim fatal, nuk e bën kurrë një President Republike një gjë të tillë, në asnjë aspekt. Ai është si Hëna, që rrotullohet herë është e plotë herë është e qorruar komplet”, tha Rama.


TË NGJASHME