HomeShowbiz

Nuk është Elvana, por një tjetër këngëtare shqiptare do të përfaqësojë San Marino-n

Elvana nuk do të përfaqësojë San Marino-n në Eurovizion, megjithatë një tjetër këngëtare shqiptare duket se do të ngjitet në skenën e Rotterdam-it në Hollandë: Inis Neziri. Nëse për Elvanën zërat lindën nga një postim në Twitter, për Inis Nezirin ka fakte.

Eurobooth – një faqe shqiptare dedikuar përgjithësisht lajmeve mbi “Festivalin e Këngës” dhe “Këngës Magjike” – shkruan se në postime në Instastories, Inisi është pyetur nga ndjekësit nëse do të përfaqësojë San Marino-n. Këngëtarja nuk e ka mohuar si lajm, megjithëse është mjaftuar me një emoji që tregon konfuzion.

Përpos kësaj, Oikotimes Eurovision – një nga faqet më të ndjekura përsa i përket zhvillimeve të Eurovision Song Contest – shkruan se Inisi është e përzgjedhura e San Marino-s. Faqja publikoi edhe një foto ku shfaqet këngëtarja në shoqërinë e Alessandro Capicchioni, kreu u delegacionit që zgjedh këngëtarin/en përfaqësues/e për Eurovizion.

ALESSANDRO CAPICCHIONI DHE INIS NEZIRI

Sipas Oikotimes, Capicchioni së bashku me Ersin Parlak, gjithashtu pjesë e grupit që përzgjedh artistin përfaqësues, udhëtuan drejt Tiranës për t’u takuar me Inisin.

ERSIN PARLAK (M) DHE ALESSANDRO CAPICCHIONI (D)

Shtojmë se çka i bën më të besueshëm zërat është fakti që Ersin Parlak është menaxheri i Inisit.

Inis Neziri ka marrë pjesë në “Gjeniun e Vogël,” “Festivalin e Këngës”, në “Këngën Magjike,” ka fituar festivalin “Golden Stag” në Rumani dhe festivalin “New Wave” në Rusi.


TË NGJASHME