HomeLajmi i Fundit

OFL i dorëzon formularin 4 grabitësve

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– O. I., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”;

– K. A., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;

– E. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim”;

– I. R., banues në Shkodër, person nën hetim, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.