HomeShëndeti

OKB: Ngrohja globale nuk duhet të kalojë limitin, rreziqet janë të pashmangshme

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ka mbetur vetëm një afat i shkurtër kohe, në mënyrë që ngrohja globale të mos e kalojë limitin prej 1.5 gradë Celcius, përtej të cilit, çdo rritje me gjysmë grade do të përkeqësonte ndjeshëm rreziqet për thatësira, përmbytje, të nxehtin ekstrem dhe varfërinë për qindra milionë njerëz.

Autorët e një raporti historik të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) të Kombeve të Bashkuara, thonë se ndryshime urgjente dhe të paprecedenta janë të nevojshme për të arritur këtë objektiv, të cilin ata e konsiderojnë të përballueshëm dhe realizueshëm, edhe pse shtrihet në limitin më ambicioz të angazhimit të dhënë në marrëveshjen e Parisit për klimën, për të mbajtur rritjen e temperaturave mes 1.5 gradë dhe 2 gradë Celcius.

Diferenca prej gjysmëgradi do të parandalonte gjithashtu çrrënjosjen e plotë të koraleve dhe do të lehtësonte presionin në Arktik, sipas studimit të publikuar pas miratimit në një seancë plenare të 195 shteteve në Incheon të Koresë së Jugut, që pa delegatët të përqafoheshin me njëri-tjetrin, e disa prej tyre edhe shpërthyen në lot.

“Është një limit në kohë që na thotë neve, si qenie të gjalla, se ky është momenti për të vepruar dhe se ne duhet të veprojmë tani”, tha Debra Roberts, bashkëkryesuese e grupit të punës mbi impaktin e ngrohjes globale. “Kjo është kambana më e madhe e alarmit nga komuniteti shkencor, ndaj shpresoj që të mobilizojë njerëzit dhe të godasë gjendjen e vetëkënaqësisë”.

 


TË NGJASHME