HomePolitikë

ONM kritike ndaj KPA, ja cili është shkaku

Vëzhguesi i ONM, Ferdinando Buatier de Mongeot është shprehur kritik ndaj Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për rastin e shkarkimit të prokurores Antoneta Sevdari – ish-anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në opinionin e tij të botuar në faqen e Këshillit të Europës, argumentohet se për shkarkimin e Sevdarit nuk kishte prova dhe se KPA ka bërë një interpretim të gabuar të ligjit në rastin e përcaktimit “deklarim të pamjaftueshëm”.

Antoneta Sevdari u shkarkuar nga detyra më 28 shkrurt 2019 nga KPA, pasi vendimi për konfirmimin e saj në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte apeluar nga Komisioneri Publik. Relatori Sokol Çomo, kryesuesi Luan Daci, anëtarët Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz votuan për shkarkimin e Sevdarit, me arsyetimin se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Por vëzhguesi i ONM thotë se vendimi për shkarkimin e Sevdarit është bazuar vetëm në faktin se ajo “për pak dështoi të provonte që kishte paguar taksën e të ardhurave”, ndërsa thotë se nuk “ishte korrekte që këto gjetje të klasifikoheshin si deklarim i pamjaftueshëm”. Ai e kundërshton interpretimin e nenit 61 pika 3 të ligjit për rivlerësim (shkarkimi për deklarim të pamjaftueshëm), madje shton se shumica e KPA e ka transformuar atë në një mjet që mund të “bëjë mutacionin gjenetik” të çdo pike të përmendur në nenin 33 (vlerësimi i pasurisë) të po këtij ligji, në deklarim të pamjaftueshëm.

De Mongeot argumenton se “bazuar mbi argumente të forta” arritja në përfundimin se kemi “deklarim të pamjaftueshëm” mund të bëhet vetëm kur hetimi ka prova se “subjekti ka kryer (me veprime ose mosveprime) një falsitet, për shembull ka prova se ai nuk e kishte atë burim të ardhurash të cilin pretendoi se e kishte”. Në të kundërt, ai cilëson se nuk mund të arrihet në një përfundim të ngjajshëm kur “subjekti për pak nuk arrin të provojë ekzistencën apo legjitimitetin e burimit të të ardhurave, sepse në këtë rast nuk është e sigurt nëse ai ka bërë deklarim të rremë”. Për rastin konkret vëzhguesi i ONM shprehet se ai nuk sheh se çfarë “duhej të kishte bërë subjekti më shumë sa i përket deklarimit ose zbardhjes” së pasurive.

Ai thekson gjithashtu se të gjitha argumentet kundër prokurores ishin tërthorazi faj i saj dhe kjo sipas tij është e rëndësishme në një vlerësim subjektiv. “Të gjitha shkeljet e supozuara financiare lidhen me subjektin vetëm në mënyrë indirekte, përmes bashkëshortit”, shprehet de Mongeot.

Sa i përket argumentit të KPA që prokurorja Sevdari ka cënuar besimin e publikut te drejtësia, de Mongeot kundërshton arysetimin duke thënë se ai ishte i bazuar në një rast të vetëm gjatë gjithë karrierës dhe pa ndonjë peshë të madhe. Rasti ishte për një çështje që prokurorja nuk kishte arritur afatet kohore për ta apeluar. Por shumica e KPA në arsyetimin e saj e kishte se situata e cila kishte pamundësuar apelimin kishte qenë e vërtetë. Gjithsesi e gjeti atë shkarkuese.

Sevdari njihet për punën e saj në prokurorinë e Tiranës për procedimin e çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit, Kastriot Ismailaj i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipëri.


TË NGJASHME