HomeRajon

Orët finale të Brexit, May takon Merkel dhe Macron

Theresa May do të mbajë bisedime të momentit të fundit me liderët e Gjermanisë dhe Francës sot, katër ditë para se Britania e Madhe të dalë nga BE. May do të takohet me Angela Merkel në Berlin dhe më pas me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Paris, për t’iu kërkuar të mbështesin kërkesën e saj për një shtyrje tjetër të Brexit-it deri më 30 qershor.

Kryeministrja do të jetë e pranishme në një samit emergjent të mërkurën, ku të 28 vendet anëtare të BE do të votojnë shtyrjen e kërkuar. Bisedimet ndër partiake që kanë si qëllim kapërcimin e impasit, po ashtu do të vazhdojnë.

Britania e Madhe, aktualisht, duhet të dalë nga BE mesnatën e të premtes. Por deri më tani, deputetët e kanë refuzuar marrëveshjen e tërheqjes që kryeministrja May ka arritur me liderët e tjerë evropianë, vitin e shkuar. Mbrëmjen e të hënës, Parlamenti britanik miratoi një ligj që synon të detyrojë Kryeministren të kërkojë një shtyrje të Brexitit në vend që të dalë nga BE pa një marrëveshje, të premten.

Por vendimi final për shtyrjen, është në duart e BE dhe liderët e 27 vendeve anëtare duhet të bien dakord nëse do të ofrojnë më shumë kohë apo do të refuzojnë ta bëjnë këtë.  Të hënën, May foli në telefon edhe me kryeministrin holandez Mark Rute, që tha se ishte thelbësore për BE të dinte se kur dhe mbi çfarë baze, Britania e Madhe do të ratifikonte marrëveshjen e tërheqjes.


TË NGJASHME