HomeShëndeti

Pacienti rrëfen se si mposhti COVID-19: Kisha 40 temperaturë dhe diabet të lartë, pagova…

Gjirokastra ka qënë një ndër qytetet më të prekura nga koronavirusi gjatë stinës së vjeshtës. Një ndër pacientët e prekur nga COVID-19, ka dhënë një dëshmi për “BlaknaWeb”, lidhur me eksperiencën e tij me virusin. Ai tregon se si arriti ta mposhte sëmundjen dhe t’i bënte ballë trajtimit mjekësor intensiv.

Ai nuk pranoi të identifikohet, për shkaqe personale, por ai tregon se si nisi rrugëtimi i tij me koronavirusin. Fillimisht ai tregon se ai pati temperaturë 40gradë si dhe kishte diabet shumë të lartë gjë që e bëri ende më sfiduese betejën.

Pas kësaj ai i ishte drejtuar spitalit Infektiv në Tiranë, ku kishte qëndruar për nji javë.

“Kjo ishte një sëmundje që nuk është se njihej nga njerëzit, por ishte shumë problematike dhe po të të zinte ishte shumë e vështirë. Temperatura ishte shumë e lartë, mua më arriti deri në 40 dhe për 3-4 ditë nuk më ulej fare. Kjo më ngriti dhe diabetin shumë dhe më detyroi të ikja në Tiranë, në Spitalin Infektiv. Qëndrova gati një javë atje, derisa u qetësova. Ndenjëm 14 ditë të plota, unë bashkë me familjen.

Pavarësisht se isha vetëm unë, nusja dhe fëmijët qëndruan të mbyllur në shtëpi. Unë kisha dhomën time personale. Jemi lidhur gjithmonë me doktoreshën e lagjes, që na ka dhënë kurat që jepen për Covid-in, por punën më të madhe e ka bërë Infektivi në Tiranë. Ishin gjilpëra, që në krye të 3-4 ditëve dhanë efekt. Mua më shkoi diku te 450-500 mijë lekë, me ilaçe, vitamina e qetësues”, rrëfen i shëruari nga virusi i rëndë.”- shpjegoi ai.

Aktualisht vetëm në rrethin e Gjirokastrës janë aktive 282 raste me Covid-19.


TË NGJASHME