HomePolitikë

Padia për Dvoranin/ Meta: Prokuroria të bëjë punën e saj

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës për afro 50 minuta, i shoqëruar nga këshilltari ligjor Bledar Dervishi dhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi.

Pas daljes nga prokuroria, Meta është ndalur për mediat për të folur pë padinë e tij ndaj kreut të KED Ardian Dvorani. I pyetur se çfarë ka dorëzuar në prokurori, referuar çantës së zezë të këshilltarit të tij, Meta deklaroi se ka dhënë sqarime plotësuese në vijim të provave dhe dokumenteve që janë dorëzuar.

Sipas Kreut të Shtetit rasti është tmerrësisht flagrant. Ai theksoi se shpreson që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm.

“Jemi këtu në respekt të pritjes suaj dhe natyrisht që nuk mund të largohesha pa respektuar edhe vëmendjen dhe durimin tuaj pavarësisht se për momentin ka çështje edhe më të mprehta. Me pak fjalë mund t’ju them se jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i prokurorisë pas kallëzimit penal që kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani për dy vepra të qarta penale të përmbushura me dashje plotësisht prej tij, të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës. Kemi dhënë sqarime plotësuese në vijim të provave dhe dokumente që kemi dorëzuar. Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Mendoj që është një provë e madhe për të ardhmen e reformës në drejtësi. Mund t’ju them se kushtetuta e thotë shumë qartë se Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe se dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejt përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Dhe lidhur me gjykatën Kushtetuese integriteti i së cilës është i një interesi mbarëkombëtar sepse është kjo Gjykatë që garanton dhe mbron sovranitetin e popullit shqiptar dhe sovranitetin e shtetit dhe interesat kombëtare. Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se Presidenti i tyre ka zbatuar Kushtetutën”, deklaroi Presidenti.


TË NGJASHME