HomeSociale

Pajisje teknologjike tek materniteti “Koço Gliozheni”: Manastirliu: Këtë vit investojmë në 4 maternitete

Materniteti “Koço Gliozheni” do të pajiset me katër pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore, të cilat do të rrisin në një nivel më të lartë cilësinë e shërbimit për nënën dhe fëmijën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë japoneze, u shpreh se do të vijojnë investimet e rëndësishëm në infrastrukturën moderne në maternitete.

“Vijojmë bashkëpunimin e frytshëm me qeverinë japoneze, me fokus investimet për nënën dhe fëmijën. Dy maternitetet e Tiranës do të përfitojnë nga kjo marrëveshje aparatura diagnostikuese të teknologjisë së lartë”, tha Manastirliu.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri z. Makoto Ito konfirmoi vijimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare për investime që kanë në fokus shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Materniteti “Koço Gliozheni” do të pajiset me aparat ekografie obstetrik-gjinekologjike, dy respitatorë neonatal dhe kardiotokograf, ndërsa në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë’, do të vihet në shërbim Laparaskopia 3d, një aparaturë e re si për sistemi publik ashtu edhe për atë jopublik.

Gjatë takimit me mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Ministrja Manastirliu u shpreh se investimet dhe mbështetja e qeverisë do të vijojë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në maternitete dhe pediatri.

“Po investojmë në katër maternitete, në Lezhë, Berat, Kukës dhe maternitetin Mbretëresha Geraldinë si dhe në pediatrinë e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, me synim të rrisim cilësinë e shërbimit për fëmijët”, tha Manastirliu.


TË NGJASHME