HomePolitikë

Paketa financiare e qeverisë për betejën kundër koronavirusit/ Flet Meta

Paketa financiare e qeverisë për betejën kundër koronavirusit duhet mbështetur dhe përshendetur.

Kështu tha sot në një intervistë në emisionin “Përballë”, Presidenti Ilir Meta.

Sipas kreut të shtetit, në vijim kjo paketë ka nevojë për detajim që të jetë sa më pranë për familjet që kanë vërtet nevojë.

Në një anë kemi njerëzit e prekur dhe njerëz që po kurohen dhe në anën tjetër janë njerëzit, që po u kërkohet që të rrinë në shtëpi, të mos bëjnë asgjë, por të rrinë në shtëpi. Por këto njerëz duke ndenjur në shtëpi kanë nevojë edhe të ushqehen, në këtë pikëpamje ju keni takuar dhe ministrin Ahmetaj, që është dhe përgjegjës për këtë situatën. Jeni i kënaqur me planin e paraqitur të qeverisë?

“Plani i qeverisë unë mendoj që është plani i parë. Nuk mund të jetë plani i fundit, por si plan i parë padyshim që duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur dhe ai synon të bëj disa adresime të shpejta të financimeve të domosdoshme në përballim e kësaj situate, si për sa i takon forcimit të shëndetësisë me mjetet, me aparaturat, me logjistikën shtesë që duhet.

Si përsa i takon pastaj mbështetjes për biznesin, të familjeve në nevojë.  Natyrisht që është një proces i cili ka nevojë për detajim, për identifikim të mëtejshëm, në mënyrë të veçantë për të qenë sa më pranë familjeve me më pak mundësi për ta përballuar këtë situatë në mënyrë, që atyre të mos u mungojnë asnjëherë ato domosdoshmëri jetike, të cilat do t’i mbanin të qetë në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre derisa kjo situatë të përmirësohet.”

Ndërkohë javën tjetër është fundi i muajit, njerëz që duhet të paguajnë faturat duhet të paguajnë qira, bizneset…

“Qeveria ka ndërmarrë disa masa në drejtim të lehtësimit të shumë detyrimeve edhe në raport me bankat, pra edhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe përsa u takon shumë detyrimeve që qytetarët kanë pranë institucioneve të ndryshme. Ky është një proces që do të vazhdojë në mënyrë që kostoja e përballimit të kësaj krize të ndahet në një mënyrë sa më të drejtë për të gjithë shoqërinë tonë.”

E thënë thjeshtë, sfida është që të rrisim borxhin publik për shëndetin publik. A e shikoni që jemi të përgatitur të shkojmë drejt kësaj gjëje?

Jemi në një situatë ku të gjitha vendet po ndërmarrin disa financime shtesë të paparashikuara dhe ky është një hap i parë. Në rast se do të duhen financime të tjera pa rrezikuar një rritje kritike të borxhit apo një çekuilibrim të treguesve ekonomikë do të ndërmerren masa të tjera në mënyrën më transparente.

Jemi përballë një fatkeqësie dhe cilado që të jetë kosto duhet bërë çdo gjë në këtë drejtim, sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Unë besoj se kjo gjë do të bëhet në mënyrën më transparente që çdo qytetar të ndihet, jo vetëm i përfshirë, por edhe i mbrojtur maksimalisht nga shteti.”

Gjithashtu presidenti Ilir Meta thotë se riatdhesimi i shqiptarëve që kanë mbetur jashtë vendit do të jetë temë kryesore e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Meta tha se do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre. ai shton se është e nevojshme identifikimi i tyre kudo që ndodhen nga ana e njësive diplomatike të vendit tonë.

Pjesë nga intervista:

 Shqiptarët jashtë, domethënë vende si Gjermania dhe Kosova, një nga prioritetet që vendosën në ditët e para ishte riatdhesimi i qytetarëve që kishin jashtë. Kosova mbylli dje riatdhesimin në Azinë Juglindore. Do ta shtroni si problem kryesor në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që kanë mbetur jashtë?

 “Patjetër ky ka qenë dhe mbetet një shqetësim i yni që në momentin e parë që u detyruam të merrnim masa kufizuese apo ndaluese sa i takon kontakteve apo fluturimeve me vendet të ndryshme. Është bërë një punë në këtë drejtim në identifikimin e të gjithë qytetarëve, të cilët nuk kanë patur mundësi për arsye të bllokimit të transportit apo të fluturimeve për t’u rikthyer në vend. Sigurisht që kjo është një çështje e rëndësishme edhe e mbledhjes së nesërme, për të vlerësuar situatën se ku jemi dhe cilat janë hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim.”

 Nëse do të vihet përballë këtij shqetësimi fatura financiare ose pamundësia, cili do të jete qëndrimi juaj?

Besoj se do të bëhen të gjithë përpjekjet për t’i hënë zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje në interes të rikthimit të qytetarëve tanë, por edhe njëkohësisht të mbrojtjes së tyre atje ku janë, fjalë vjen në Itali apo në Greqi. Në këtë drejtim ambasadat tona, – unë kam qenë personalisht në kontakt disa herë me përfaqësuesit tanë, kam qenë në kontakt, i kam orientuar, jam përpjekur sidomos për qytetarët që kanë pasur mundësi më të kufizuar ekonomike ose që nuk kanë parashikuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë, të ofrojnë edhe lehtësira duke u kujdesur edhe për ruajtjen e shëndetit të tyre.

Sigurisht që do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre.”

 Kur flasim për kujdesin që tregon shteti ndaj njerëzve që janë në vijën e parë të luftës, kemi parasysh personelin shëndetësor, çfarë bën shteti shqiptar për për personelin diplomatik që ka jashtë në këto momente?

Besoj se personeli diplomatik ka marrë të gjitha udhëzimet e duhura ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, të cilët janë në misione të ndryshme jashtë vendit për të respektuar të gjithë rregullat e domosdoshme për t’u mbrojtur në këtë situatë.”

 Në kontaktet që ju keni pasur, çfarë shqetësimi keni ju personalisht për to?

” Shqetësimi është identifikimi i qytetarëve tanë kudo që ndodhen, dhënia e ndihmës për momentin që ata të mos dëmtohen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe shëndetin e tyre dhe natyrisht marrja e masave për të gjetur mënyrën më të shpejtë dhe më të sigurt që i riatdheson.”

Ne kemi edhe 500 ushtarakë shqiptarë që kryejnë misionet në vendet që janë prekur nga virusi. A keni kontakte me ta ose me familjarët e tyre?

Kontaktet kryesisht në këtë raport i kam patur me Shefin e Shtatit të Përgjithshëm FA dhe sipas tyre gjendja paraqitet pa probleme dhe ata kanë marrë udhëzimet e duhura se si duhet të sillen dhe të mbrojnë shëndetin e tyre. Deri tani nuk kam patur ndonjë njoftim shqetësues për shëndetin e tyre dhe ky është një lajm i mirë.

Në rastin e ushtarakëve çështja është pak edhe më pozitive në drejtim të faktit që ata janë të vetdisiplinuar dhe kjo është edukatë e tyre e përditshme.”


TË NGJASHME