HomeLajmi i Fundit

Pakistan/ Shpërthim i fuqishëm në një faltore

Policia e Pakistanit njoftoi se së paku tetë persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë lënduar në një shpërthim të fuqishëm që kishte cak forcat e sigurisë që e ruanin një faltore në qytetin lindor pakistanez të Lahores.

Arif Nawaz Khan, zyrtar i lartë policor, tha se shpërthimi i së mërkurës ishte sulm që goditi një automjet që po bartte zyrtarë policorë.

Ky zyrtar policor tha se policët u vranë gjatë sulmit që ndodhi jashtë faltores, e njohur si Data Darbar, ku shenjtori sufist, Ali Hajveri, është i varrosur. Policia njoftoi se qindra njerëz ndodheshin brenda dhe jashtë faltores në momentin e shpërthimit.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, e dënoi këtë shpërthim, i cili ndodhi pak ditë pas fillimit të muajit të Ramazanit.

Sufizmi është një formë e misticizmit islamik që ekziston në vende të ndryshme islame. Ekstremistët sunitë kanë qëndrim armiqësor ndaj sufizmit dhe në të kaluarën kanë kryer sulme në ceremonitë dhe faltoret sufiste, shkruan “Free Europe”.