HomeRajon

Pakti me Greqinë: Çfarë mesazhi i dha komisioneri Hahn, Ilir Metës

Bashkimi Europian i ka dhënë ditën e djeshme një tjetër mesazh Presidentit Ilir Meta, se pakti i detit me Greqinë nuk duhet të bllokohet. Ka qenë komisioneri për zgjerim i BE, Johannes Hahn, i cili gjatë një interviste për “Euroaktiv” deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të zgjidhin sa më shpejt çështjet kufitare. Qeveria e ka shprehur hapur se kërkon një frymë të re sa i takon marrëveshjes së re me Athinën. Mirëpo, pakti i ri është në dorë të kreut të shtetit. Që marrëveshja të shkojë në Kuvend duhet firma e Metës, por ky i fundit ka dhënë sinjale se mund ta bllokojë këtë pakt. Kështu që dje, komisioneri Hahn e ka bërë të qartë, teksa ka ripërsëritur sërish thirrjen se nuk duhet të ketë probleme me fqinjët. “Shqipëria e cila ka dalë nga hija e së shkuarës, i ka lënë vëzhguesit të befasuar këndshëm. Vendi ka bërë përparim të mirë në zbatimin e prioriteteve të reformës, veçanërisht kur është fjala për reformën shumë ambicioze të gjyqësorit. Qeveria ka demonstruar gjithashtu unitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria, ashtu si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, po punon për zgjidhjen e çështjeve të hapura kufitare dhe në përgjithësi kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore.

Për shkak të përparimit të konsiderueshëm të bërë nga të dy vendet, Komisioni Evropian ka rekomanduar që negociatat e pranimit të hapen me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, deklaroi ai. Më herët, komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn vuri në dukje, se ka pasur progres sa i përket marrëveshjes dhe negociatave mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar dhe çështje të tjera të mbetura pezull. Mirëpo, Hahn teksa u ndal pikërisht tek strategjia e zgjerimit që u publikua nga BE-ja, theksoi se Brukseli e bëri të qartë nuk do të pranojë më anëtarë që kanë probleme fqinjësore. “Gjithashtu po të ketë marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, sepse aty kemi, le të themi, një ristrukturim kufijsh, që është një gjë shumë e rëndësishme dhe kruciale për qytetarët. Rrjedhimisht, na nevojitet një lidership, por gjithashtu na duhet një lidership që ta kuptojë se nevojiten ndryshime në shoqëri. Duhet ndryshimi i mentalitetit, që të ketë një progres real në rrugën drejt Europës”, deklaroi ai/sot.com.al


TË NGJASHME