HomeRajon

Palmer: Synimi ynë është të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, tha se është koha që udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre dhe t’i udhëheqin vendet e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i intereson që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”, tha Palmer në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai qëndroi në Sarajevë, ku takoi liderët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe udhëheqës të tjerë të rajonit, që ishin mbledhur për një forum të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

I pyetur nëse ekziston një politikë unike ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Palmer u përgjigj pozitivisht.

“Para ardhjes sime në Sarajevë kam qenë në Bruksel dhe kam pasur rastin të takohem me disa përfaqësues të Bashkimit Evropian. Synimi ynë, kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, mbetet i pandryshueshëm. Ne duam të ndihmojmë rajonin që të lëvizë më tej drejt integrimit perëndimor, që të realizojë me sukses reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik”, tha Palmer.

“Të gjitha këto reforma do t’i ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen, para së gjithash, më të pasura dhe më të qëndrueshme dhe, rrjedhimisht, partnere më të mira si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për vendet e tjera. Vizioni ynë, por edhe i BE-së është i njëjtë dhe shumë i thjeshtë: një rajon i begatshëm dhe paqësor, në paqe me veten dhe fqinjët, rajon që përbën një pjesë të mirë të Evropës”, tha Palmer për Radion Evropa e Lirë.


TË NGJASHME