HomeRajon

Palmer vizitë në Beograd: Të arrihet marrëveshje me Kosovën

Zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer, sot do të zhvillojë vizitë zyrtare në Serbi. Axhenda e Palmer mësohet të jetë takimi i presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministres Ana Bërnabiç. Sipas mediave serbe, temë kryesore e këtyre takimeve do të jetë çështja e Kosovës. 

Deklaratat e zyrtarëve amerikanë në muajt e fundit kanë treguar se qëndrimi i Uashingtonit mbi Serbinë po ndryshon, i cili tani është i gatshëm të mbështesë çdo marrëveshje Beograd-Prishtinë që është e pranueshme nga të dyja palët.

Kjo mbështetet edhe nga deklarata e fundit e Palmer, e cila tha se Shtetet e Bashkuara nuk i tërheqin vijat e kuqe në procesin e dialogut, në lidhje me atë për të cilën do të flisnin të dyja palët, por kjo nuk do të thotë që të gjitha opsionet janë të hapura.

“Për momentin ne jemi më të interesuar që t’i kthejmë të dyja palët në tryezën e negociatave, ta rinovojmë dialogun dhe të përparojmë në atë marrëveshje, hap pas hapi. Unë nuk mendoj se vendosja e afateve artificiale do të ndihmonte në këtë proces, por ne do të dëshironim të vazhdojmë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi më herët Palmer në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Vizita e Palmer në Serbi vjen pak para Samitit të Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik dhe temë kryesore është gjetja e zgjidhjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën që presidenti amerikan, Trump i kishte dërguar homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, në rastin e Ditës së Republikës së Serbisë, përveç urimeve, Trump i kërkoi Vuçiç që të arrihet një marrëveshje me Kosovën, që sipas tij duhet të jetë me njohje të ndërsjella.


TË NGJASHME