HomePolitikë

Paloka: Është dikush që nuk i intereson zgjidhja e krizës


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha në studion e rubrikës “Opinion”, në News 24 se situata në Shqipëri është e rëndë, pasi sipas tij, shqiptarët sot kanë përballë një kryeministër që nuk i intereson asgjë dhe puna e tij është e programuar kundër interesit publik.

Ai u ndal edhe tek “Dosja 184”, ku shtoi se Edi Rama vijon të kontrollojë sistemin e drejtësisë, duke pohuar se kjo u dëshmua me transferimin e saj në Dibër. Sipas tij, kjo dosje do të hetohet nga një prokuror, i cili është i afërt i njërit prej personave të kapur në përgjime gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër.

“Situata në këtë rast është edhe më e rëndë sepse kemi përballë një njeri që nuk do t’ia di. Vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën po shkojnë në zgjedhje për çështje morale. Kjo po ndodh në Ballkan. Ky thotë jo (Rama).  Ti me fakte, unë me policë dhe gaz. Palmer e tha qartë: dosja 184, është një dosje e rëndësishme që duhet të hetohet dhe t’i dilet në fund. Rama e merr dhe po tenton ta zhdukë këtë dosje  tek një prokuror, i cili është i afërt i atij që po hetohet dhe që ka dalë në përgjime. Drejtësia këtu është në dorë të Ramës dhe në shërbim të gjithë kësaj rrëmuje dhe kaosi që kemi. Ndërkombëtarët e kanë marrë seriozisht situatën në Shqipëri. Kriza nuk i shërben askujt. Lëvizje do të këtë, sepse situata ka shkuar  ku nuk mban. Edhe Edi Rama e di këtë.Protesta është pjesë e opozitës gjithmonë. Ata protesta është me të vërtetë që Rama është ende aty, por treguan se revolta ndaj kësaj qeveria ka arritur kulmin”-tha ai.

 Paloka zbuloi “detyrën” e re të Kajmakut, përveç asaj të kryebashkiakut. Sipas ish-deputetit demokrat, Agim Kajmaku bën punën e bahçevanit në Surrel, te vila e Ramës.

“Ka një vendim qeverie që i jep Kajmakut, nuk e di se sa euro, për të zbukuruar Surrelin. Jo vetëm e zbukuroi vilën e Ramës, por tani bën edhe bahçevanin aty. Pra, asgjë nuk është e rastësishme, Rama e ka krijuar vetë këtë qerthull dhe nuk e di si do ta zgjidhë”, tha Paloka.

Më tej, ish-deputeti foli dhe për Valdrin Pjetrin, i cili dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës, pas fakteve të publikuara nga opozita, ku rezultonte se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Lidhur me këtë, Paloka tha se Rama e dinte të vërtetën më parë, por e çoi Valdrinin me zor në Shkodër.

“Ai ka shkuar me vetëdije në këtë pikë, që nga farsa e 30 qershorit, vendosja e figurave kriminale, si Valdrini në Shkodër, që e çoi me zor. Me Kajmakun ka mbyllur gojën, e di shumë mirë, se i ka zgjedhur vetë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, ai shtoi se PD vijon ndërkaq protestat dhe do përdorë çdo lloj mjeti për të bindur shqiptarët se ky pushtet është një regjim që duhet të ikë.

“Ne do të vazhdojmë me protesta, sepse thashë protesta është mënyra e reagimit qytetar. Ne do të vazhdojmë e do përgatitemi edhe për hapa të tjera. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

13 tetori ishte një datë perfektë edhe për vetë Ramën, që di të kishte mundësi të zgjidhte kandidatë, por ai prapë procesin e shkatërroi. I vetmi që propozon datën është presidenti dhe nëse presidenti e ka gabim, këtë datë e hedh poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha Paloka.


TË NGJASHME