HomeSport

Pamje dramatike, shkatërrohet stadiumi i ri nga tifozët gjatë ndeshjes Kukësi-Tirana

Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar ashpër sjelljet e papranueshme dhe vandale të disa grupeve të tifozëve në ambientet e “Air Albania Stadium” gjatë ndeshjes Kukësi – Tirana.

Në reagim, Federata thotë se këto akte nuk kanë asnjë lidhje me synimin tonë për t’i kthyer ndeshjet e kampionateve tona në festa futbolli. Këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin.

Pas verifikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit.

FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i flakin ato në fushë duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve të ndeshjes si dhe futbollistëve.

FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit.

Federata e Futbollit bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive.

FSHF u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozerive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin në cilëndo hapësirë sportive të vendit.

Komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme duke marrë masa kundër këtyre shkelësve.


TË NGJASHME