HomePolitikë

Paralajmëron një nismë të re, Meta: Qytetarët të marrin në dorë sovranitetin e tyre

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë për emisionin “Tempora” në RTV Ora ka sqaruar nisjen e asaj që e ka cilësuar si “betejë për shpëtimin e demokracisë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jo legjitime”.

Meta thotë se sistemi i llogaridhënies ndaj qytetarëve nga ana e qeverisë është në nivelin zero, ndërsa e konsideron atë si një shtet paralel të propagandës dhe koncesioneve.

Gazetarja: Zoti President në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ju publikuat një status në rrjetet sociale. Në këtë status ju flini për një betejë për shpëtimin e demokracisë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jo legjitime. Çfarë nënkupton me këtë betejë Presidenti i Republikës?

Presidenti Meta: Kjo është një betejë që bëhet në emër të demokracisë. Objektivi i saj është shumë i qartë: duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të marrin në dorë të ardhmen e tyre dhe sovranitetin mbi të ardhmen e tyre, por edhe mbi institucionet, që duhet të japin llogari përpara qytetarëve. Jemi në kushtet kur praktikisht sistemi i llogaridhënies në vend është pothuajse i nivelit zero.

Jemi në kushtet e një antagonizmi politik të paprinciptë e artificial, që nuk reflekton raportet e përditshme tolerante të qytetarëve tanë, pavarësisht nga bindjet apo përkatësitë e ndryshme politike.

Sigurisht unë e vlerësoj që kjo është e qëllimtë pikërisht për të realizuar ato vendime, të cilat cenojnë interesat e qytetarëve tanë dhe cenojnë të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, pavarësisht bindjeve apo përkatësive partiake.

Gazetarja: Zoti President, duket që kështjella e fundit e kushtetueshmërisë është Presidenca. Ju këtë betejë me çfarë mjetesh dhe njerëzish do ta realizoni?

Presidenti Meta: Institucioni i Presidentit është një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe në radhë të parë e vetë Kushtetutës dhe e parimeve të saj.

Është për të ardhur keq që vendi përjeton një kaos institucional dhe një shtet paralel, që unë e kam quajtur shteti i propagandës dhe i PPP-ve kundër shtetit të së drejtës.

Unë jam tepër i vendosur të sillem gjithmonë si President i shtetit të të drejtës, që të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet e saj themelore dhe të drejtat kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë, që mendojnë se janë cenuar dhe cenohen në mënyrë të vazhdueshme, që nga e drejta e zgjedhjes e deri tek e drejta e informimit dhe e drejta e pronës.

Po përjetojmë një situatë dezinformimi në tërësi në mediat tona dhe kjo është e papranueshme. Është dhunim i një të drejte kushtetuese.

Siç po përjetojmë edhe dhunimin e pronës në mënyrë arbitrare dhe pamundësinë për t’u mbrojtur në një sistem të besueshëm dhe efikas të gjykatave.

Gazetarja: Ju po flisni për një shtet paralel, çfarë mund të bëjë Presidenti në këto kushte?

Presidenti Meta: Duke u sjellë në mënyrën më kushtetuese, më institucionale dhe sigurisht duke kërkuar edhe ndihmën e të gjithë aktorëve të tjerë të cilat nuk kanë interesa afatshkurtra politike, por të cilët janë realisht të preokupuar për këtë lloj pengmarrjeje të demokracisë dhe për këtë antagonizëm politik të paprinciptë, që u imponohet nga lart, dhe që nuk i shërben Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Gazetarja: Në fakt në këto momente që flasim mazhoranca, qeveria dhe Kuvendi, kanë nisur një betejë për shkarkimin tuaj nga posti i kryetarit të shtetit. Ju u paraqitët edhe në komisionin hetimor për këtë çështje. Në fakt, duket që beteja po spostohet tashmë në një tjetër rrafsh, në atë politik?

Presidenti Meta: Nuk ekziston një betejë e tillë midis Parlamentit dhe Presidentit. Kjo është një shpikje.

Beteja e vërtetë është midis shtetit të propagandës dhe PPP-ve, dhe shtetit të së drejtës.

Unë kam qenë në Kuvend për arsye, sepse nuk mund t’i lejoja shtetit të propagandës luksin që të pretendonte se Presidenti ka bërë një shkelje kushtetuese dhe prandaj nuk ka ardhur.

Opinioni publik është bombarduar në mënyrë të vazhdueshme me terma të shpikur që nuk ekzistojnë asgjëkund si “çdekretim” e fjalë të tjera, ndërkohë që ju e patë vetë dhe nga paraqitja ime dhe nga përpjekja ime për t’u përqendruar te çështjet kryesore dhe për të dhënë sqarime sa më shteruese, se Presidenti nuk kishte bërë, nuk ka bërë dhe nuk mund të bënte asnjë shkelje kushtetuese, përveçse ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës, parimeve të saj themelore dhe sidomos të të drejtës për të zgjedhur të të gjithë qytetarëve shqiptarë

Gazetarja: Çfarë vendimesh pret të marrë Presidenti në rast se në 11 tetor Venecia ju gjenë në shkelje Kushtetuese, në 13 tetor nuk zhvillohen zgjedhje në bazë të dekretit që ju keni nxjerrë dhe në 18 tetor nuk marrim çeljen e negociatave?

Presidenti Meta: Për Presidentin tani ka dy data: është data 18 tetor për arsye, sepse kjo datë është tepër e rëndësishme. Në çdo rast do merret një vendim dhe apelimi im ka qenë, dhe është, që në çdo rast të ketë një “PO”. Në rast se do të jetë një po dhe pa kushte, kjo do të jetë një festë e madhe, por për gjithë rrjedhën e këtyre ngjarjeve të deritanishme, është e qartë që kjo po duket shumë ëndërrimtare sot.

Dhe në rast se do të jetë një “po” me kushte, lutja ime për Bashkimin Europian është që të ketë kushte sa më të qarta dhe sa më specifike që përfshijnë të gjithë aktorët në këtë vend.

Duke filluar dhe nga Presidenti i Republikës, nga Parlamenti, nga qeveria, nga opozita, duke ju referua standardeve të Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të realizojë sa më shpejt, në mënyrë që çdo institucion të vihet para përgjegjësisë në raport me këtë objektiv kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptar, të cilët janë penalizuar padrejtësisht nga ky konflikt, nga ky antagonizëm i paprinciptë politikë.

Gazetarja: Nëse do ketë një “PO” ose një “PO” me kushte specifike siç thoni ju, në fakt a jeni optimist për këtë “PO”?

Presidenti Meta: Ne këtë “PO”-në e kemi pasur edhe vitet e kaluara, nuk është se na ka munguar optimizmi, por realisht nuk kemi patur një datë dhe situata është e vështirë që të themi që është përmirësuar, qoftë edhe në raport më zgjedhjet dhe jo vetëm kaq.

Edhe në raport me funksionimin e shtetit të së drejtës në vend, të respektimit të Kushtetutës dhe të kontrollit dhe të balancave të pushteteve, që është tronditur seriozisht.

Ne shohim një shtet të propagandës apo një shtet të mazhorancës përballë shtetit të së drejtës, pra jemi gjithmonë në një betejë të shteteve paralele. Unë kam qenë, jam dhe do të jem një gjithmonë një President i shtetit të së drejtës.

Përsa i takon çështjes së Kushtetutës, duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’u kujtoj partive që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që siç thotë qartë Raporti Final i OSBE/ODIHR: “mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm”.

Së dyti, për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, që natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi.

Atë Kushtetutë të gjithë shqiptarët e kanë votuar me shpresën dhe besimin se ajo do të mbrojë dhe garantojë të drejtat themelore të tyre.

Ndaj unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.

Gazetarja: Kjo nismë do jetë si Presidenti i Republikës apo do t’i ktheheni betejës politike?

Presidenti Meta: Kjo është një nismë si President i Republikës, që e ka detyrim të kujdeset për të drejtat themelore të qytetarëve shqiptare, të mos pajtohet me asnjë institucion që i cenon ato. Gjithashtu të mos të pajtohet me gjithë institucionet që e kanë për të detyrë për t’i mbrojtur dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe do të jetë një nismë, ku shumë surpriza të tjera do të shpalosen në kohën e duhur, pasi fokusi im tani është 18 tetori, për momentin nuk është 22 nëntori.

Por pas 18 tetorit fokusi do të jetë 22 nëntori dhe ky do të jetë një aksion i vazhdueshëm që, nuk ka lidhje me partitë dhe forcat politike. Por që do të përfshijë gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut që besojnë në demokraci, në rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka respektimi i të drejtave të njeriut në këtë vend, të institucioneve të pavarura dhe që nuk konformohen dhe nuk pranojnë këtë situatë mjaft kritike në të cilën ndodhen sot të drejtat e njeriut në vendin tonë


TË NGJASHME