HomeLajme

Parashikimi: Sa banorë do të jetojnë në Shqipëri në vitin 2100

Referuar emigracionit dhe rënies së lindjeve, pritet që në të ardhmen mosha mesatare e popullsisë së vendit të rritet. Sipas studimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), përpiluar nga Monitor.al, mosha mesatare e popullsisë në 2020-n do të jetë 36.4 vjec, një rritje kjo nga ajo e vitit 2018, ku mosha mesatare ishte 35.4 vjeç.

Sipas një parashikimi ku supozohet se nuk ka rritje të emigracionit dhe nuk ndryshon numri i lindjeve, mosha mesatare e vendit shkon në 50.1 në vitin 2050 dhe 61 gjysmë shekulli më vonë, pra në 2100-n.

Në një “skenar” më pesimist, nëse ka rritje të emigracionit dhe rënie të lindjeve, mosha mesatare e popullsisë mund të arrijë në 79.1 në vitin 2100, që rrjedhimisht e lë vendin me vetëm 512,000 banorë nga 2.87 milionë banorë që janë aktualisht. Sigurisht ky mbetet thjesht një parashikim, referuar ritmit të emigracionit dhe lindjeve.

Në të kundërt, pra nëse nuk ka ndryshim në ritmet e emigracionit dhe lindshmërisë, popullsia në 2100-n do të jetë rreth 2.8 milionë banorë, një rënie e lehtë kjo nga ajo aktuale.

Plakja e popullsisë, që vjen si bashkim i shumë faktorëve, si emigracioni, lindshmëria dhe vdekshmëria, nuk është një problem që diskutohet për herë të parë. Referuar një raporti të Institutit të Statistikave, lindshmëria ka pësuar ulje të ndjeshme me kalimin e viteve. Për shembull në 1989-n, numri mesatar i fëmijëve për një grua ishte 3.1, ndërsa në 2011-n ishte 1.7.

Burimi: Monitor.al, Instituti i Statistikave


TË NGJASHME