Botë Lajme Politikë

Parlamenti ukrainas zgjedh kryeministrin e ri të vendit

Ligjvënësit ukrainas miratuan juristin 35 vjeçar Oleksiy Honcharuk si kryeministrin e ri të vendit gjatë seancës së parë të parlamentit që nga zgjedhjet muajin e kaluar. Zoti Honcharuk që sapo është futur në politikë dhe më parë kishte punuar në zyrën presidenciale, u emërua në 29 gusht nga Presidenti Volodymyr Zelenskiy, një komedian që u bë politikan i cili është zotuar ta “përmbysë sistemin” në politikën e Ukrainës.

Megjithë mungesën e përvojës së tij, ligjvënësit e miratuan me lehtësi emërimin e zotit Honcharuk me 290 vota pro në parlamentin me 450-vende. Zoti Honcharuk ka qenë në pjesën më të madhe të karrierës së tij avokat, duke u bërë përfundimisht një partner kryesor në një firmë që specializohet në zhvillimin e pasurive të patundshme.

Në vitin 2015, ai drejtoi organizatën joqeveritare të financuar nga BE BRDO që u përqendrua në reforma dhe këshilloi Stepan Kubiv, zv / kryeministrin e parë në administratën e ish-Presidentit Petro Poroshenko. “Do të jetë shumë e vështirë për këtë qeveri,” pranoi ai në një fjalim para parlamentit. “Ju të gjithë i dini për këto probleme që kemi në vend. Këto janë borxhet që kemi trashëguar,” shtoi ai.

Partia e zotit Zelenskiy mori një shumicë të konsiderueshme prej 254 vendesh parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar për legjislaturën me 450 vende. Ky mandat i pashembullt pritet t’i japë presidentit Zelenskiy një dorë të lirë për të “goditur sistemin”, siç u zotua gjatë fushatës së tij zgjedhore në prill.

Zotit Zelenskiy do t’i duhet të merret me gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin e dhunshëm me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, të luftojë korrupsionin dhe të fillojë reformat ekonomike në një vend ish-Sovjetik që mbetet një nga më të varfërit në Evropë.

Ndër 27 pikat e rendit të ditës për seancën maratonë në 29 gusht është shqyrtimi i një projekt-ligji për heqjen e imunitetit të ligjvënësve nga ndjekja penale.

Për shkak se është një ndryshim kushtetues, projektligji kërkon një shumicë prej dy të tretave që i mungojnë partisë në pushtet. Për ukrainasit, heqja e imunitetit ka qenë vazhdimisht një nga masat më të kërkuara kundër korrupsionit, sipas sondazheve të opinionit publik. /Zëri i Amerikës/

Related posts

Zbulohet axhenda e Kongresit të PS-së/ 7 emrat që zyrtarizohen si kandidatë për Bashkitë

Mila

Salianji paralajmëron protesta të papërballueshme

Klaudia gotanews

Qindra të arrestuar në protestën për gazetarin rus

Klaudia gotanews
Na Kontaktoni!