HomeSport

Partizani nis “pazarin”, nxjerr tri yje në shitje

Partizani ka në për bërje një bankomat (ATM quhen nga bankat), nga i cili mund të bëhet i pasur në këtë merkato. Me shumë mundësi, Partizani do ta nisë sezonin e ri pa “ATM”-në e tij (Asani, Trashi, Mala). Prej kohësh emrat e këtyre futbollistëve janë lakuar si më të mundshmit për t’u shitur nga Partizani në këtë merkato vere.

Këto zëra i ka përforcuar më së shumti seanca e djeshme, pasi treshja mbeti jashtë planeve të trajnerit Lerda, kur nisi të piketojë formacionin për ndeshjen e së enjtes me Sherif Tiraspolin. Pas eliminimit nga Champions-i, mësohet se përgatitjet e “demave” kanë mision të dyfishtë, pasi do të janë jo vetëm në funksion të turit të dytë të Ligës së Europës me Sherifin, por edhe për fillimin e sezonit të ri, që këtë edicion për kampionët e Shqipërisë nis me finalen e Superkupës.

Duke hedhur vështrimin për sezonin e ri, nga dje, trajneri Lerda ka nisur të piketojë edhe formacionin e mundshëm, që me shumë mundësi do të jetë pa “ATM”-në. Prurjet e merkatos te Partizani kryesisht kanë ndodhur në rolet ku luajnë Trashi, Asani dhe Mala, ndaj shitja e tyre duket se është e mirëmenduar nga drejtuesit, që pritet të mbushin bankomatin e tyre.


TË NGJASHME