HomeSport

Partizani zhgënjen sërish, mposhtet nga Sheriff Tiraspol

Partizani vazhdon të zhgënjejë me paraqitjet në Europë. Mbrëmjen e djeshme ekipi i drejtuar nga Franco Lerda, u mposht nga Sheriff Tiraspol me rezultatin 1-0.

Edhe ndeshja e zhvilluar nga Partizani, ishte tërësisht zhgënjyese. “Demat e Kuq” nuk arritën në asnjë moment të vendosnin në vështirësi portën kundërshtare. Partizani u ndëshkua në minutën e 23-të me një gol nga Tambe dhe nuk pati fuqi për t’ju kundërpërgjigjur miqve. Pas këtij rezultati, ekipi shqiptar e shikon veten thuajse të eleminuar nga kompeticionet europiane.

Ndryshe nga dy ndeshjet në Champions, sot u pa në vështirësi të konsiderueshme mbrojtja e Partizanit, por mbi të gjitha mungoi organizimi i lojës dhe manovrat e shpejta në sulm. Solomon nuk i shpëtoi për asnjëherë mbrojtjes së moladavëve, ndërkohë që lënia jashtë e Asanit nuk rezuiltoi aspak efikase. Partizani nuk kishte shpejtësi dhe pothuajse asnjë vertikalizim për të qenë.

Loja nga krahët la shumë për të dëshiruar, ndërkoha që skuadra filloi të zgjatej në fushë që në pjesën e parë dhe ndonëse Lerda bëri tri zëvendësime, nuk i ndryshoi as ritmin skuadrës së tij dhe as rrjedhën lojës. Natyrisht, Sherifi është një skuadër e rrezikshme dhe me eksperiencë në Europë, por Partizani nga ana tjetër nuk mund të pretendojë që në fund të majit të largojë trajnerin, të heqë nga formacioni Atandën, Hilën, Asanin, Trashin dhe Bardhin (i dëmtuar ky i fundit) e më pas të jetë një skuadër solide dhe e qartë.

Janë ende 90 minuta për t’u luajtur dhe Partizani ka shanse për të bërë një mrekulli në Moldavi, por ndeshja e sotme la shumë për të dëshiruar. Taktikisht dhe psikologjikisht. Partizani nuk mund ta fitojë një ndeshje pa gjuajtur asnjëherë rrezikshëm në portën kundërshtare.



TË NGJASHME