HomeShëndeti

Pas darkave të rënda të festave, ja dietat që duhet të shmangni

Dreka e  Krishtlindjeve dhe darka e Vitit të Ri janë gjithmonë të rënda. Tavolinat mbushen me ushqime plot karbohidrate, yndyrna, sheqer sa për gjithë vitin dhe pa pasur faj, nuk u rezistojmë dot. Dhe nuk kemi pse. Një herë në vit duhet të na lejohet të hamë ç’të duam.

Në janar ama, përpiqemi të gjejmë një dietë të thjeshtë dhe të shpejtë që minimizon dëmin e bërë gjatë festave. Jo të gjitha funksionojnë, natyrisht.

Serumet me vitamina, që u popullarizuan nga Rihanna dhe Chrissy Teigen nuk djegin dhjamin dhe nuk shërojnë dhimbjen e kokës nga alkooli. Krejt e kundërta, rrisin shanset për infeksione dhe tromboza. Thonë që s’të gjen gjë nga vitaminat, por absolutisht të gjen gjë nga vitaminat e tepërta.

Dieta 22-ditore e Beyonce gjithashtu nuk mund të realizohet nga një person normal, me punë dhe rrogë normale. Sipas këngëtares, duhen vetëm 21 ditë që t’i mësojmë vetes mënyra të reja dhe më të shëndetshme të të ushqyerit. Nëse do të kishim njohuritë dhe aftësinë për të ngrënë një dietë me natyrë bimore, do e bënim vetë, pa shpenzuar më shumë dhe pa hequr picir me recetat. Dieta vegane është goxha e vështirë për t’u mirëmbajtur.

Vitaminat e flokëve, që reklamohen shpesh nga motrat Kardashian, janë gjithashtu të famshme thjesht prej marketingut dhe jo prej rezultateve.

Si rregull i përgjithshëm, duhen shmangur të gjitha dietat që premtojnë rezultate thuajse të menjëhershme. Të humbasësh peshë apo të vish në formë kërkon punë dhe përkushtim. Nëse do të ishte aq e thjeshtë, do e bënim të gjithë.

Përshtatur nga The Guardian


TË NGJASHME