HomeSociale

Pas letrës së Metës, KLGJ hap garën për Gjykatën e Lartë

Pak ditë pas letrës së Presidentit Ilir Meta, Këshilli i Lartë Gjyqësor hapi këtë të premte garën për plotësimin e Gjykatës së Lartë.

Duke e konsideruar si një nga vendimet më të rëndësishme të marra, drejtuesja e KLGJ, Naureda Llagami, njoftoi se në rendin e ditës ishte edhe miratimi i rregullores për përzgjedhjen e 3 kandidatëve jogjyqtarë, që do të jenë pjesë e 19 anëtarëve që duhet të ketë Gjykata e Lartë. “Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi sot, më datë 05.07.2019, mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi dhe miratoi një ndër vendimet më të rëndësishme që nga momenti i konstituimit të tij, atë ‘Mbi kriteret e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve jogjyqtarë dhe procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë’”, njoftoi KLGJ.

KRITERET

Gara zyrtarisht do të hapet sapo rregullorja të botohet në Fletoren Zyrtare, ndërsa në të janë listuar kriteret dhe mënyra sesi do të bëhet pikëzimi i kandidatëve. Kështu, duke iu referuar rregullores, kandidatët duhet të kenë 15 vite karrierë si juristë të spikatur dhe të kenë merita profesionale, personale dhe organizative. Ata duhet të kenë ekspertizë të spikatur, si dhe të vlerësohen për përgjegjshmëri dhe paanësi. Vlerësimi i punës se kandidatëve do të vlerësohet nga shqyrtimi i të paktën 5 dokumenteve ligjore të hartuara prej tyre, si dhe nga çdo artikull shkencor e akademik të botuar prej tyre. Ndërkohë, edhe rezultatet e tyre gjatë studimeve për drejtësi dhe çdo trajnim do të merren parasysh nga KLGJ gjatë vlerësimit.

Kandidatët që do të shprehin interes për një vend në Gjykatën e Lartë, do t’u nënshtrohen edhe intervistave. KLP Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë intervistat me kandidatët për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion javën që vjen. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktoi datat e intervistimit, që do të jenë publike për 23 kandidatët e Prokurorisë Speciale, të renditur sipas rendit alfabetik. Lajmin për intervistimin e kandidatëve e bëri të ditur edhe drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi, disa ditë më parë.

“Nga data 8 korrik deri më 12 korrik, zonjat dhe zotërinjtë që kanë emrin me A, do të kenë fatin të vlerësohen të parët e kështu me radhë. Të gjithë kandidatët do të intervistohen. Nuk do të presim përfundimin e vetingut. Pas intervistimit do të ulemi, do të bëjmë atë ushtrim aritmetikor të vendosjeve dhe mbledhjes së pikëve dhe do të shpallim listën tonë të fituesve. Ne do të rendisim të 23 kandidatët, pastaj ata që janë të gatshëm për të shkuar në SPAK, do të shkojnë pasi të kalojnë në fazat e procesit të vetingut”, u shpreh Gent Ibrahimi.

Gjatë mbledhjes së djeshme, KLP bëri të ditur gjithashtu se ka kërkuar informacion shtesë nga institucionet shtetërore (Drejtoria e Tatimeve dhe Doganat) në kuadër të vlerësimit për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm, z. Lulëzim Alushaj.

Datë 8 korrik 2019
1. Altin Dumani
2. Anita Jella
3. Anton Martini
4. Arben Kraja
Datë 9 korrik 2019
1. Behar Dibra
2. Besim Hajdarmataj
3. Besnik Muçi
4. Doloreza Musabelliu
5. Donika Prela
Datë 10 korrik 2019
1. Dorina Bejko
2. Dritan Prençi
3. Edvin Kondili
4. Elida Kaçkini
5. Elizabeta Imeraj
Datë 11 korrik 2019
1. Ened Nakuçi
2. Enkelejda Millonai
3. Enkeleda Xhengo
4. Klodian Braho
5. Manjola Kajana
Datë 12 korrik 2019
1. Ndini Tavani
3. Maksim Sota
4. Vladimir Mara

PANORAMA


TË NGJASHME