HomePolitikë

Pavarësia e SHBA-së, Trump: Sot, më të fortë se kurrë

Amerika festoi të enjten festën e saj të pavarësisë mes avionëve, tankeve, paradave ushtarake, brohoritjeve dhe fishekzjarrëve. Presidenti Donald Trump me një fjalim patriotik dhe jopolitik kujtoi veprën e heronjve që kërkuan mëvetësinë e vendit nga perandoria britanike 243 vite më parë.

Me avionë luftarakë në qiell, me tanke të rënda dhe parada masive në tokë, Shtetet e Bashkuara festuan të enjten 243-vjetorin e pavarësisë.

Duke sfiduar reshjet e shiut, presidenti amerikan, Donald Trump, iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur në memorialin e Abraham Linkolnit në Uashington.

Me udhëheqësit ushtarakë pas shpine, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu shmang retorikës politike, duke u fokusuar vetëm te mesazhet patriotike dhe të unitetit kombëtar.

Trump: “Sot festojmë historinë, njerëzit dhe heronjtë e ushtrisë që e mbrojtën me krenari flamurin tonë. E ardhmja na takon ne guximtarëve, krenarëve dhe popullit të lirë amerikan. Sot ne jemi më të fortë se kurrë.”

Fjalimi i Trump ishte i pari pas gati shtatëdhjetë vitesh që mbahet me këtë rast në parkun e Uashingtonit.

Përvjetori i 243-të i pavarësisë së SHBA-ve nga perandoria britanike u përmbyll në mbrëmje me një spektakël fishekzjarrësh që ndriçoi qiejt e vrenjtur të Uashingtonit.


TË NGJASHME