HomePolitikë

PD i përgjigjet Ramës: S’jemi kundër diskutimit për sistemin zgjedhor

Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike tha se çdo veprim i njëanshëm për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nga ana e qeverisë do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.

PD thekson se nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor por kjo sipas saj nuk mund të ndodhë një vit para zgjedhjeve pasi kërkon një reformim të plotë kushtetues.

PD shtoi se edhe OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Deklarata e plotë e Partisë Demokratike

“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.”


TË NGJASHME