HomePolitikë

PD prezanton programin ekonomik, Basha: Konfiskim oligarkëve

Krahas organizimitprotestave, Partia Demokratike ka nisur përgatitjen për të ardhur në pushtet. Në programin ekonomik të demokratëve listohen 30 masa për të lehtësuar biznesin dhe rritur punësimin.

“Sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokracia”, tha Basha.

Opozita parashikon anulimin e kontratave dhe koncesioneve korruptive

“Ky grusht oligarkësh të bëhet gati të hedhë 1.5 mld euro në projekte fantazmë dhe u bëj thirrje institucioneve financiare të mos bëhen pjesë e kësaj piramide, nëse nuk duan ajo t’i marrë me vete”, tha më tej Basha.

Në programin e tyre, demokratët parashikojnë që barrën e provës t’ia kalojnë administratës.

“Do të zbatojme parimin ‘silence is consent’, miratimit në heshtje ku barra e provës do t’i kalojë administratës dhe jo biznesit”, deklaroi kreu i PD-së.

Kryedemokrati u zotua se do të shfuqizojë taksën “Rama” të karburantit, si dhe premtoi uljen e çmimit të energjisë, si për biznesin, ashtu dhe për konsumatorin.

“Taksa ‘Rama’ për karburantet, prej rreth 30 lekë/litër do të shfuqizohet menjëherë. Çmimi i energjisë për biznesin prodhues do të jetë 30-40 për qind më i lirë sesa sot”, tha Basha.

Demokratët premtojnë rikthim të taksës së sheshtë 9 për qind. Skema e parapagimit të kësteve tremujore do të ruhet, por me një ndryshim.

“Do të përllogariten nga vet biznesi. Si do ta menaxhojmë riskun? Nëse biznesi gabon në parashikim më shumë se 20 për qind nga tatimfitimi përfundimtar do të marrë përgjegjësi financiare, e cila do të jetë e barabartë me interesin për pjesën e dhënë më pak”, tha Basha.

Për të nxitur biznesin të formalizohet propozohet rritja e nivelit të xhiros për biznesin e vogël, nga 2 milionë në 14 milionë lekë, dhe rregullim me ligj të sjelljes së tatimorëve. Programi ekonomik i PD-së parashikon mbështetje për fermerët dhe prodhimin vendas, ndërsa rendit si prioritet kombëtar arsimin.


TË NGJASHME