HomeSociale

PD thirrje qeverisë: Të riatdhesojë çdo shqiptar

Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, Arben Kashahu deklaroi sot se qytetarët shqiptarë nuk duhet të braktisen nga shteti i tyre pse u gjendën të papërgatitur në kohën e shpërthimit të koronavirusit.

Situata e jashtëzakonshme e krijuar ngaandemia e COVID-19 solli mbylljen e kufijve ajrorë, detarë apo tokësorë, si masë parandaluese për përhapjen e tij..

Partia Demokratike e konsideron braktisjen e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit si një dhunim flagrant të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga vetë qeveria.

“Qeveria duhet të riatdhesojë çdo shqiptar që, për shkak të mbylljes së kufijve, nuk mundi të rikthehet pranë familjes. Çdo vonesë është papërgjegjshmëri që kushton shtrenjtë!”-tha Kashahu.

DEKLARATA E PLOTË
Partia Demokratike po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në kufirin tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Qindra qytetarë shqiptarë nuk po lejohen të futen në territorin shqiptar, megjithëse, sipas informacioneve që ne kemi, nuk kanë asnjë pengesë as nga Greqia, as nga Mali i Zi.

Mbyllja e kufijve ajrorë, detarë apo tokësorë, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, nuk mund të shërbejë si justifikim për braktisjen nga shteti të qytetarëve shqiptarë, që situata i gjeti të papërgatitur në një shtet të huaj. Ata nuk mund të lihen në rrugë, pa asnjë ndihmë dhe në kushte skandaloze. Kjo po ndodh tani me shqiptarët në kufirin grek dhe atë malazez. Po ndodh edhe me shqiptarët e braktisur kudo në Europë, në Itali, në Gjermani, në Francë, në Spanjë, në Angli.

Është e paligjshme dhe absurde të mos lejosh qytetarët shqiptarë që të futen në atdheun e tyre, që të rikthehen në shtëpitë e tyre, që të shkojnë tek fëmijët apo prindërit e tyre. Nga shqetësimet e ardhura pranë Partisë Demokratike rezulton se shumica dërrmuese prej tyre janë prej më shumë se 24 orësh në të ftohtë, pa ngrënë dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Kjo është papërgjegjshmëri. Kjo është kriminale.

Shteti shqiptar ka detyrimin kushtetues për t’u kujdesur për të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda apo jashtë kufirit. Qeveria nuk duhet të trajtojë qytetarët hallexhinj si të njerkës.

Asnjë shtet në botë nuk pengon qytetarët e vet të futen në atdheun e tyre, edhe pse pjesa dërrmuese e tyre i kanë mbyllur kufinjtë. Vendet e tjera po krijojnë çdo mundësi për riatdhesimin e qytetarëve të tyre, por e financojnë atë, sepse kjo është detyra kryesore e një qeverie të përgjegjshme.

Partia Demokratike e konsideron braktisjen e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit si një dhunim flagrant të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga vetë qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky akt bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe nuk justifikohet nga situata e krijuar.

Partia Demokratike i kërkon Qeverisë që të mundësojë menjëherë që qytetarët shqiptarë që janë në kufirin tokësor me Greqinë apo Malin e Zi, të lejohen të kalojnë kufirin dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Secili prej tyre duhet të mbahet sipas ligjit nën mbikëqyrje shëndetësore dhe të vetëkarantinohet në shtëpinë e tij, duke mos u lejuar të dalë jashtë banesës për të paktën 14 ditë nga momenti i hyrjes në Shqipëri. Në këtë mënyrë arrihet të sigurohet që ato të mos bëhen burim infektimi për të tjerët.

I njëjti rregull duhet të ndiqet edhe për shqiptarët e tjerë që kanë mbëtur rrugëve të Europës. Qeveria duhet të riatdhesojë çdo shqiptar që, për shkak të mbylljes së kufijve, nuk mundi të rikthehet pranë familjes. Çdo vonesë është papërgjegjshmëri që kushton shtrenjtë!

K.S/GotaNews


TË NGJASHME