HomeE Jona

Për këto arsye fiset në Sudanin e Jugut vendosin shenja në fytyrën e djemve

Fiset në Sudanin e Jugut vendosin shenjat specifike të fiseve të tyre në ballin e djemve të cilët kanë arritur moshën madhore.

Pas këtij rituali, i cili bëhet me gërvishtjen e ballit me thika të mprehta, djemtë mund të hyjnë në mesin e të rriturve të fisit dhe tanimë pranohen si “të rritur”.

Rituali i shenjave në fytyrë, i cili është një nga traditat më të rëndësishme të Sudanit të Jugut dhe praktikohet edhe në disa shtete tjera të Afrikës, shihet sidomos në grupet më të mëdha etnike të vendit si në fiset Nuer, Dinka, Mundari dhe Shillu.

Fëmijët për një kohë të gjatë dhe me plot emocione e presin këtë ditë, e cila ua ndryshon tërësisht jetën dhe përgjegjësitë e tyre. Kurse disa prej fëmijëve të cilët frikësohen nga dhimbja që shkaktohet nga kjo traditë, nuk mund të ngrenë zërin e tyre për shkak të presionit social në fis.

Shenjat në fytyrë përdoren edhe në mesin e vajzave dhe shihen si mjet i bukurisë. Mirëpo, disa nga fiset pas luftës së brendshme në vend, nuk e zbatojnë këtë ritual, meqë këto shenja identifikojnë se kush nga cili fis vjen.

“Lindëm dhe i pamë baballarët tanë duke e bërë këtë”

Marial Akon, 40 vjeç i cili ka lindur dhe është rritur në qytetin Tonj të këtij vendi dhe është nga fisi Dinka, në një deklaratë foli për ritualin e vendosjes së shenjave në fytyrë.

Ai tha se baballarët e tyre për qindra vite e kanë vazhduar këtë ritual. “Lindëm dhe i pamë baballarët tanë duke e bërë këtë. Edhe ne duhet ta ndjekim këtë traditë, e cila është pjesa më e rëndësishme e kulturës sonë”, tha Akon.

Akon bën të ditur se pas konsultimeve mes të rriturve për këtë ceremoni përgatiten fëmijët të cilët zakonisht arrijnë në moshën 14-vjeçare, tek të cilët shihet ndryshimi i zërit dhe shenjat e rritjes së pjesëve të trupit të tyre.

“Fëmijët një ditë para vendosjes së shenjave të fytyrës mblidhen në një shtëpi. Para procesit të vendosjes së shenjave në fytyrë dhe menjëherë pas saj, ata ballafaqohen me disa përkufizime”, deklaron Akon.

Sipas tij, meshkujt pas ceremonisë së vendosjes së shenjave tanimë kanë vend më të respektueshëm pranë pleqve dhe se braktisin pirjen e qumështit në mënyrë direkte nga kafshët.

Priten me seriozitet nga vajzat

Dita e shënimit të fytyrës ashtu si për familjet edhe për fëmijët është një ditë e madhe dhe me shumë emocione. Pas asaj dite, nëse djemtë propozojnë miqësi me femrat kjo nënkupton se ata do të shohin respekt dhe do të priten me seriozitet.

Sipas Akon-it një mashkull i rritur, i cili nuk ka shenja në fytyrë, do të perceptohet si një fëmijë.

“Femrat nuk e shohin me seriozitet. Nëse një vajzë takohet me një djalë të tillë atëherë shoqet e vajzës e detyrojnë atë që të heqë dorë nga kjo lidhje”, thotë ai.

Akon shpjegon se pas shënimit të shenjave të fytyrës çdo ditë shkohet në shtëpinë e njërit dhe aty therret kafshë në emër të tij dhe se kjo vazhdon deri sa të kryhen të gjithë.

Në vazhdim Akon thotë se pas fillimit të “rrugëtimit në burrëri” një plak përcaktohet si udhëzues i këtyre të rinjve dhe ua mëson atyre rolet në fis.

Shenjë specifike për çdo fis

Çdo fis ka një apo më shumë shenja të veçanta. Shenja e fisit Dinka është vendosja e 3 apo 4 vijave paralele në fytyrë apo vendosja e formës në shkronjën “V”.

William Deng, 38 vjeç i cili është pjesë e fisit Dinka thotë se ai kishte marrë shenjën e fytyrës kur ishte në moshën 15 vjeçare.

Ai thotë se pavarësisht se në cilën kohë, traditat dhe kultura duhet të reflektojë gjithmonë.

“Ishte mjaft e vështirë ta durosh dhimbjen kur më vendosën shenjat në fytyrë. Por, më pas unë e ndjeva veten më të guximshëm dhe më të respektuar”, tha Deng.

Shenja e fytyrës të fisit Mundari është një V e madhe, kurse ata të fisit Nues vendosin vija paralele ashtu si Dinkanët, por ata zakonisht shënojnë gjashtë vija.

Ndërsa shenjat më interesante i përkasin fisit Shillu, pjesëtarët e të cilët vendosin në fytyrë shenja në formë të pikës.

Oduk Ajak, 69 vjeç nga fisi Shillu tregon se ai ishte frikësuar shumë gjatë ceremonisë dhe se nuk ka dashur të bëjë shenja në fytyrë.

“Nuk kisha asnjë opsion. Unë isha frikësuar por nuk doja që të më shihnin si frikacak”, tha Ajak.

Burimi: Anadolu Agency