HomeSport

Përballja me Sheriff Tiraspol, Lerda: Presim diçka tjetër nga kjo sfidë

Eleminimi nga Qarabag, la një shije të hidhur te klubi i Partizanit edhe te të gjithë tifozët e klubit. Megjithatë paraqitja e skuadrës ishte një paraqitje dinjitoze dhe humbja mund të justifikohet me faktin se luanin kundër një skuadre me shumë eksperiencë dhe me buxhet shumë më të madh. Ndeshjet dhe paraqitja ndaj Qarabag, ka shtuar ndjeshëm besimin dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës ndaj Sheriff Tiraspol. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Stelman Stërmasi” dhe në deklaratën për shtyp, tekniku Lerda ka treguar se pret diçka tjetër nga përballja me Sheriff Tiraspol.

Ju bën të ndiheni optimist që Sherif Tiraspoli është një skuadër që është rinovuar së fundmi?

Sigurisht që përballë kemi një kundërshtar të cilin do ta vlerësojmë maksimalisht, duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Është një skuadër që këtë sezon ka ndryshuar mjaft lojtarë. Por ne do ta vlerësojmë maksimalisht.

Si keni menduar ta zgjidhni problemin e golit?

Skuadra ka krijuar shumë raste në 2 përballjet e Champions, por nuk kemi arritur të realizojmë. Kjo nuk është problem. E rëndësishme është që ne të krijojmë raste.

Objektivi i Partizanit. A është kualifikimi detyrim?

Detyrim për ne është që të japim maksimumin. Të zhvillojmë me përpikmëri të gjitha ato që kemi zhvilluar në stërvitje. Për sa i përket kualifikimit ajo do të jetë në vazhdimësi të këtyre që thashë.

Prezenca e madhe e sulmuesve në skuadër…

Parësore për mua është të sulmojmë në grup dhe të mbrohemi në grup si skuadër. Ky është objektivi që kam unë.

A ka presion në skuadër pas paraqitjeve pozitive ndaj Karabakut?

Kemi bërë dy paraqitje të mira ndaj Karabakut. Kjo falë respektit që unë kam pasur te skuadra dhe lojtarët e mi, për atë çfarë kanë dhënë në fushë. Treguan që përveçse janë lojtarë cilësorë, janë grup me mjaft vlera.

Rezultatet e çuditshme të Sherifit në Champions…

Në futboll ndodh gjithçka. Ajo që ne duhet të bëjmë është të përqendrohemi maksimalisht në fushë. E respektojmë Sherifin. Duhet të japim maksimumin në fushë.


TË NGJASHME