HomeLajme

Përfaqësuesit e diasporës: Presim të votojmë në 2021

Vota e emigrantëve si e drejtë e tyre Kushtetuese, edhe pse e pazbatuar në praktikë, ishte pjesë e diskutimit në emisionin “Real Story” në News 24 , ku anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës thanë për gazetarin Sokol Balla se janë të gjitha mundësitë që çdo problem teknik apo edhe politik të zgjidhet deri në zgjedhjet e ardhshme të 2021 për të siguruar të drejtën e tyre për të votuar. Përfaqësuesit e diasporës shqiptare u shprehën se ka ardhur koha që tashmë edhe emigrantët shqiptarë të japin votën e tyre, por e lënë në dorë të politikës se cilin format do të zgjedhin atë elektronik, miks apo në ambasadë. “Për ne nuk ka rëndësi formati i votimit, por realizimi i votimit dhe transparenca e saj si dhe emigrantët të kenë përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar” ishte mesazhi që Këshilli Koordinues i Diasporës.

Përfaqësuesit e diasporës thanë se për shkak të disa çështjeve teknike vota e emigrantëve ende nuk po gjen zbatim në praktikë, ndonëse për gazetarin Sokol Balla problemet nuk janë vetëm administrative e teknike, por edhe politike, pasi sistemi politik në Shqipëri ka frikë nga votat që nuk i ka nën kontroll.

Mark Gjonaj, i cili është njëherësh edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Neë York, tha se edhe pse politika shqiptare mund të ketë frikë nga vota e diasporës, në çdo takim që kanë zhvilluar me përfaqësues të tyre, iu është garantuar se e dëshirojnë votën e diasporës. “Mundet me pas frikë, por gjatë gjithë takimeve që kemi pasur si me Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e opozitës, na është garantuar vota e Diasporës. Këshilli Koordinues i Diasporës ka për të ushtruar presionin e duhur që vota e diasporës të realizohet sa më parë dhe në qershor të 2021 të marrë pjesë dhe në votim edhe diaspora. Kjo është një nga pikat më të rëndësishme që mund të lidh diasporën me tokën amë” u shpreh Gjonaj.

Avokatja Brikena Muharremi tha se shoqata vullnetare që ka ngritur së bashku me avokatë të tjerë ka pikërisht si qëllim promovimi dhe sundimin e ligjit në Kosovë dhe Shqipëri, në mënyrë që të sigurohet vota e diasporës. Muharremi e cilësoi kyçe për demokracinë votën e diasporës dhe kjo është një nga kërkesat kryesore që kanë emigrantët.

“Për shkak të mos informimit ndodhin edhe abuzime në lidhje me çështjet e avokaturës dhe pashë që ishte e nevojshme krijimi i një shoqate vullnetare për avokatët shqiptarë në Angli, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë anëtarëve të komunitetit tonë. Një nga qëllimet kryesore të shoqatës është të promovojnë sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi. Ky qëllim lidhet drejtpërdrejtë me Kosovën dhe Shqipërinë, duke marrë parasysh që sistemet ligjore në të dy shtete, janë të dobëta, kërkojnë angazhim jo vetëm nga brenda vendit por edhe jashtë. Përmes kësaj pune ne synojmë të kontribuojmë jo vetëm të komuniteti ynë i diasporës, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Vota e diasporës është kyçe për demokracinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka qenë një nga kërkesat tona kryesore me çdo autoritete apo institucion kemi zhvilluar takime në Tiranë, si e drejtë që ekziston në Kushtetutë, por në praktikë nuk zbatohet për problem të ndryshme administrative” tha Muharremi.

Për Sokrat Sinajn beson se deri në zgjedhjet e 2021 ekziston koha e plotë të për zgjidhur çdo problematikë të mendueshme teknike apo politike dhe të njihet vota e emigrantëve shqiptarë në çdo vend të botës.

“Në të gjitha takimet që kemi zhvilluar me përfaqësuesit e dy partive të mëdha politike PS dhe PD, na kanë konfirmuar e dëshira është e padiskutueshme, por ekzistojnë problemet teknike që duhen zgjidhur. Për këto problem teknike mendoj se nuk janë aq penguese sa të mos i japin mundësi diasporës të jap votën e saj në zgjedhjet e ardhshme të 2021. Gjatë takimi të zhvilluar më zotin Balla dhe Ruçi na ofruan variantin e një votimi të përzier përmes postës dhe ambasadave, ndërsa zoti Basha theksoi formën e votimit elektronik. Koha është më se e mjaftueshme për të zgjidhur këtë problem teknik që pengojnë votën e diasporës, kushdo qoftë varianti që të zgjidhet” tha Sinaj.

Sokrat Sinaj, përfaqësues i diasporës shqiptare, tha në “Real Story” në News 24 se emigrantët kërkojnë përfaqësuesit e tyre në parlament dhe jo të abuzohet me votat e tyre. Të pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse është diskutuar në takimet që kanë zhvilluar me përfaqësuesit politikë që diaspora të ketë përfaqësuesit e saj në parlament dhe votat të mos keqpërdoren nga partitë politike, Sinaj u shpreh se kjo ka qenë një kërkesë unanime e Këshillit Koordinues të Diasporës.

“E kemi thënë qartë dhe në mënyrë unanime ne kërkojmë që Diaspora të ketë të zgjedhurit e saj në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe ata të zgjedhurit të bëjnë një Shqipëri tjetër, nuk duam që vota jonë të shpërndahet dhe abuzohet me të” tha Sinaj.

Ndërsa Anila Hyka Smorgrav tha se fillimisht duhet të ketë një regjistrim të emigrantëve dhe se kushdo që ka dëshirë të jap votën e tij do të regjistrohet pranë ambasadave përkatëse. Ajo kërkoi që të sigurohet transparenca e votës së diasporës, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që problemet mekanike nuk duhet të jenë pengesë e ushtrimit të të drejtës së votës edhe nga emigrantët.

“Autoritetet shqiptare ndoshta nuk e dinë sa emigrante janë, por një nga kërkesat që ne vendosëm është dhe regjistrimi i tyre. Nëse do të fillojë fushata, regjistrimi i emigrantëve bëhet automatikisht, pasi të gjithë janë të regjistruar në ambasadat pranë vendit ku ndodhen. Shteti shqiptar nuk duhet ta shikojë elementin mekanik të të drejtës për të votuar si një pengesë. Pavarësisht formës që zgjedhin për votën, elektronik, miks apo në ambasadë, kushdo që ka dëshirë do të shkojë të regjistrohet dhe të votojë. E shikoj të realizueshme në mënyrë teknike edhe votën elektronike edhe ajo me postë apo në ambasada. Çdo lloj sistemi ka problem dhe hackera që mund të ndërhyjnë. Teknologjia ka përparuar, mjafton të vendoset mënyra dhe më pas të zhvillohen programet që sigurojnë transparencën e votës për të shmangur abuzimet” tha Anila Hyka Smorgrav


TË NGJASHME