HomeSociale

Përfundojnë mbi 90% e punimeve për gazsjellësin TAP

Gazsjellësi Trans-Adriatik ka përfunduar mbi 90% të punimeve. Aktualisht TAP po po përparon më tej në fazën e ndërtimit të tubacionit, punimet tokësore janë mbyllur, ndërkohë që po ecet me shtrimin e tubave në det, nga Shqipëria drejt Italisë.

Gjurma e TAP-it në Shqipëri është rreth 215 km e gjatë në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat shqiptare të Detit Adriatik. Pjesa tokësore nis në Devoll në kufirin shqiptar me Greqinë dhe del në Seman të Fierit.

Janë rreth 1.5 miliard euro të investuara në vendin tonë, ndërsa rreth 2 mijë shqiptarë u punësuan direkt në këtë projekt në pjesë të ndryshme të tij, që nga ndërtimi i rrugëve, transporti, shtrimi i tubacioneve, etj.

Sasitë e para të gazit pritet të mbërrijnë në tregun evropian këtë vit.

TAP nënvizon faktin se si ky gazsjellës përveç Evropës Perëndimore, hap prespektiva të reja të furnizimit me gaz natyral të vendeve të Ballkanit, duke mbështetur kështu ndërtimin e gazsjellësit tjetër Adriatiko-Jonian që nis në Shqipëri dhe përfundon në Kroaci. Pikërisht ky projekt përshpejton ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në vendin tonë, dhe një pjesë e mirë e industrisë në vend mund të përfitonte nga ky burim energjie i lirë.

Nga ana tjetër, përfundimi i ndërtimit të gazsjellësit do të sjellë edhe uljen e peshës në investimet e huaja në Shqipëri, e cila mbeti e lartë e përqëndruar në dy projekte të mëdha, TAP dhe kaskada e Devollit.


TË NGJASHME